Deputeti i PD-së, Bardhi, ka kallëzuar sot në SPAK kryeministrin Edi Rama për shpërdorim detyre duke e akuzuar për dhënien e statusit investitor strategjik bashkëshortit të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Pjesë nga kallëzimi i Bardhit:
“Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i Ministres Olta Xhacka, por edhe si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Gazment Bardhi.
“Duke mos aplikuar këtë ndalim, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Komitetit të Investimeve Strategjike, të cilët kanë qenë në dijeni se kompania përfituese është në pronësi të bashkëshorit të ministers/deputetes Olta Xhaçka, me dashje kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke i sjellë përfitime materiale të padrejta familjes së ministres Xhaçka.” – vazhdon kallëzimi.