Operacioni i koordinuar midis policisë braziliane dhe portugeze vetëm pak ditë më parë ka goditur bandën e trafikut të drogës që drejtohej nga shqiptarët.
Nga ky aksion janë sekuestruar 1 ton kokainë e mbështjellë me “Louis Vuitton”.
E gjitha nisi më datë 7 qershor, kur policia braziliane sekuestroi 350 kokainë në një nga shtëpitë e Altin Drimadhës në Sao Paulo e cila ruhej nga dy anëtarë vendas të bandës së tij, të armatosur.
Më pas në bazë të pamjeve filmike të gjetura në një USB në këtë banesë, policia arriti të gjurmojë jahtin ku ishte nisur pjesa tjetër e ngarkesës së kokainës drejt Lisbonës. Në koordinim me policinë portugeze në këtë jaht u zbuluan 650 kg kokainë.
Ka dyshime të forta se në krye të kësaj organizate, përveç Altin Drimadhës është një tjetër shqiptar me të shkuar kriminale në Australi. Sipas autoriteteve vendase ai dyshohet se drejtonte trafikun e drogës në katër shtete.
Në lojë është futur Interpol dhe organizata të tjera kundër narkotrafikëve për zbulimin dhe arrestimine tij dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal.