Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla mori pjesë në mbledhjen me Këshillat Socialist të Fierit ku në fokus ishte procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes, Balla ftoi këdo që ka dëshirën dhe vizionin për të drejtuar dhe energjizuar drejtimin e partisë sonë në nivel bashkie, të marrë pjesë në këtë proces.
Midis të tjerave, ai ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe komunikimit me opozitën.
Lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Balla tha se, “konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita.
Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet presidenti apo presidentja e re e Republikës”