(Një këshillë e gjatë për bijat dhe bijtë)
Pas disa dekadash vëzhgim i përvojës sime jetësore me ulje ngritjet dhe sukseset relative, e ndiej detyrë morale të ndaj disa refleksione që mendoj se mund t’i shërbejnë sidomos brezit të ri që përgatiten të mbarojnë shkollat e të dalin në jetë, në lidhje me orientimin në jetë, profesion, karierë etj.
Mund ta përfytyrojmë jetën tonë si një pikë që lëviz në hapësirë, kur lindim jemi te zero, pika ku bashkohen tre boshtet x, y, z. Ku do levizim në hapësirë, nga do marrim, si do orientohemi? Gjithë 360 gradët e 360 gradëve janë të mundshme.
Ta vazhdojmë krahasimin e pikës që leviz në hapësirë duke kuptuar që çdo vendim që marrim në jetë na e ndryshon drejtimin e levizjes duke vizatuar një vijë plot zigzage, e njejta gjë ndodh edhe pas çdo goditje që marrim nga jeta, pra nga mjedisi, e shoqëria ku jetojmë duke na ndryshuar drejtimin pas goditjes (për mirë apo per keq).
Tani të emërtojmë tre boshtet ku levizim dhe të mbajmë parasysh ato në shqyrtimin në vazhdim.
X – KOHA e cila ne fakt eshte e njëjte per të gjithë ne vlerë absolute, por nuk mund të mos e marrim parasysh si njësia bazë sepse gjithcka ndodh në kohë dhe krahasimet bëhen me kohën.
Y – ENERGJIA fizike dhe mendore që bart secili nga ne në trupin e vet e cila na vë në lëvizje. Kjo energji, në vlerë potenciale mund të jetë e njejtë ose e perafërt për gjithë njerëzit, por sasia dhe cilësia që vë në përdorim secili varion.
Z – E PANJOHURA, e papërjetuara, kaotikja, surpriza, destinja, etj. e cila në një masë të konsiderueshme nuk varet nga ne në kuptimin që ne nuk e kontrollojmë dot qënien apo veprimin e saj në univers, por që në mënyrë interesante, ne mund të jemi në gjendje të ndikojmë shpeshherë mbi të me fuqinë e Y-energjisë që zotërojmë.
X- Koha
Ndersa ne teori biem dakord se X- kohën as nuk e përshpejtojmë as e ngadalësojme dot, në praktikë të gjithë kemi eksperienca se koha e kaluar me aktivitete që na pëlqejnë shumë, si ato argëtuese dhe kreative, si pershembull koha me njerëzit më të dashur, me pushime në det, duke ngritur një çadër në breg, na duket sikur kalon shumë shpejt, kurse koha e kaluar në vetmi, në vend të izoluar duke mos bërë asgjë kalon tepër ngadalë. Nga ky shembull kuptojmë se koha në fakt ka lidhje të ngushtë me Y- energjinë sepse në kohën kur aktivizojmë më shumë energji pra shkëmbejmë energjj në formën e dashurisë me njerëz të tjerë, harxhojmë energji fizike dhe mendore duke krijuar dicka nga mendja dhe dora jonë, koha merr kuptim dhe vlerë, prandaj ne nuk e ndiejmë si kohë, por si energji. Dhe kjo është një formë suksesi, të harxhojmë kohën në një nivel të lartë energjie.
Y- Energjia
Siç kuptohet lehtë, nga të tre vektorët, vetëm mbi energjinë e trupit tonë ne kemi mundesinë e kontrollit. Energjinë e harxhuar fizike e kontrollon energjia mendore, dmth. këmbët marrin atë rrugë që i thotë truri dhe dora kap dorën e një personi tjetër vetëm nëse merr atë komandë nga truri. Njëjtë ndodh edhe me vendimet që marrim në jetë, ato kontrollohen nga truri dhe prandaj merr rëndësi studimi i energjisë mendore ose fuqisë mendore. Njerëzit me fuqi mendore të lartë janë ata që jo vetëm orientohen sipas dëshirave të tyre në jetë, domethënë sipas shqipes marrin në dorë fatet e tyre, por me atë energji të lartë kinetike që krijojnë, ata në njësinë e kohës përvijojnë segmentet më të gjata nga një goditje që u jep jeta deri në një tjetër ose nga një vendim personal që u ndryshon jetën deri në atë pasardhës, e si rezultat zhvendosen më larg nga pika zero, ose shkojnë larg me ambiciet e tyre, që është një formë suksesi.
Fuqia mendore mund të trajnohet të jetë efikase me anë të përqendrimit në kohë, duke marrë kohën e nevojshme për të analizuar me logjikë të ftohtë, çdo faktor që ndikon në një ndodhi të caktuar për të cilën do të merret një vendim. Natyrisht që ky proces meditimi kërkon edhe aftësi konjitive të cilat janë të ndryshme në njerëz të ndryshëm, por orientimi me anë të përqendrimit në analizim, patjetër do të sjellë një masë suksesi apo rezultat më të lartë se sa vendimet e marra shpejt e shpejt vetëm me intuitë.
Duke ditur se energjia mendore ka specifikën se në njësinë e kohës mund të shpenzohet vetem në një drejtim, pra nuk mund të mendojmë për dy gjëra të ndryshme në të njëjtën kohë, merr rëndesi të madhe orientimi i kësaj energjie në drejtimet më produktive. Një mënyrë shumë e mirë në shpërndarjen (alokimin) e energjisë mendore është konsultimi me njerëz më të ditur se ne, qofshin këta brenda familjes apo brenda universit të dijetarëve e dijeve që mund të arrijmë me anë të librave dhe internetit. Eksperienca njerëzore e prindërve që kanë kaluar mbi supe aq shumë ngjarje dhe kanë me
mësuar aq shumë nga ato si dhe e mijëra vjetëve dije, e miliona dijetarëve të cilët e kanë vrarë mendjen për ne që t’i marrim të gatshme ato dije, nuk mund të neglizhohen, përkundrazi vërtetohet edhe në jetë se fëmijet që dëgjojnë prindërit dhe marrin më shumë dije me anë të leximit, janë ata që kanë më tepër mundësi suksesi. Afërmendsh, ata/ato ecin në një rrugë më të shkurtër (shortcut) për të arritur të njëjtin rezultat. Gjithashtu, kanë një mundësi më të madhe zgjedhjeje në jetë me rezultat pak a shumë të provuar si sukses.
Një pikë tjetër e rendësishme për alokimin e energjisë mendore është mendimi pozitiv mbi atë negativ, mendimi optimist përkunder atij pesimist, orientimi i mendimit mbi dashurinë dhe jo mbi urrejtjen, guximi mbi frikën etj. Nëse kemi ndërmend për të realizuar një ekskursion në mal përshembull, duhet të mendojmë sa bukur do duket pllaja përballë nga maja e tij, dhe jo sa te lodhur do jemi kur të kemi arritur në majë, po a do arrijmë dot, po sikur të na dali ndonjë ujk përpara, të biem nga ndonjë shkëmb etj. Në momentet që mendja perfytyron rënien nga shkëmbi nuk mund të përfytyrojë bukuritë që shihen nga maja e malit, dhe ne të mundur nga arsyetime negative, mund të zgjedhim të mos e ndërmarim atë ekskursion në mal, pra zgjedhim jo-suksesin.
Duhet të kemi parasysh se ne jemi në çdo moment zotërues të energjisë sonë mendore, madje edhe të asaj fizike, trupore. Nëse trupi tani nuk mund të ngrejë një peshë 50 kg, trupi mund te trajnohet në palestër me anë të energjisë mendore që e çon trupin çdo dy ditë atje dhe energjisë fizike të shtuar brenda 5 muajsh përshembull, sepse muskujt janë forcuar mjaftueshëm brenda kësaj periudhe kohe. Ka pasur raste kur vetëm energjia mendore ka bërë çudira, një vetëdije që nuk dorëzohet ka shpëtuar gjallë me ditë të tëra trupin në mes të detit, nën tokë etj. kur energjia fizike nuk do ta kishte përballuar dot.
Duke mësuar të përdorim energjinë tonë në drejtimin e duhur, me masën e duhur, me shpejtësinë e duhur etj., do të orientohemi më lehtë në jetë e do të arrijmë destinacionin që e quajmë sukses.
Z- E panjohura
Jemi nisur për të blerë bukë në dyqan ashtu si kemi bërë shpeshherë dhe jemi kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi, por sot si këmbësor jemi përplasur me një biçiklist dhe jemi dëmtuar në trup. Kjo ishte e papritur, e panjohur. Ishte faji ynë, faji i çiklistit, faji i dikujt tjetër që kaloi aty pari dhe i ndërroi drejtimin çiklistit, ndonjë gropë e trotuarit? Bashkia që në atë copëz rruge nuk kishte ndërtuar korsinë e biçikletave, etj. etj. arsye që mund të supozohen, por faji i vërtetë mund të mbetet anonim, ose mund të jetë një bashkësi të panjohurash që u bënë bashkë dhe goditën në atë moment të caktuar lëvizjen tonë në një rrafsh të caktuar e të njohur. Si rezultat ne tashmë nuk mund të shkojmë në shkollë apo në punë për një javë, duke ndryshuar komplet rrjedhën e jetës sonë për të paktën një javë. Pra e panjohura në fakt është një vektor i pashmangshëm në jetën tonë.
Tani pyetja shtrohet, a jemi ne në gjendje të ndikojmë te e panjohura, a kemi ne forcë apo energji brenda vetes ta kondicionojmë të panjohurën dhe si mund ta arrijmë këtë. Ne kemi vetem Y-energjinë që komandohet nga ne e cila ndahet në forcë mendore dhe fizike, kështu që duhet parë se si mund të kombinojmë këto të dyja. Le të marrim një rast nga fusha e futbollit ku lojtari gjeni Leo Messi arrin shpesh të shfrytëzojë Z-të panjohurën në dobi të tij. Ai nuk mund të parashikojë lëvizjet e mbrojtësve kundërshtarë, por ai arrin me fuqinë mendore dhe reagimin e shkathët t’i nxjerrë bllof në kundërkohë ata, të gjejë hapësira me fuqinë e mendjes atje ku nuk mund ta arrijnë kundërshtaret, të gjejë kohën e duhur për të gjuajtur shpeshherë midis këmbeve të portierit, madje njëherë përdori pozicionin e gjyqtarit të ndeshjes për të shmangur një mbrojtës. Nga ky shembull mësojmë se ne mund të përdorim kombinimin e kohës me energjinë tonë mendore dhe fizike për të arritur objektivin tonë ose suksesin edhe pse e panjohura vepron pavarësisht nga ne.
Një mënyrë tjetër për të mos u trembur nga e panjohura, është të lëvizim në hapësirën e supozuar në fillim të shkrimit X Y Z duke zgjedhur dhe vepruar në një rrafsh të caktuar e të njohur për të eleminuar me sa të mundemi një goditje që i druhemi, përshembull gjasat janë që një fermer gjithë jetën e vet të mos shkojë në burg, por një shpërndarës droge, ka probabilitet të lartë të përfundojë në burg. Ose dikush që mbaron një shkollë të lartë dhe ka një profesion, patjetër që normalisht do ketë mundësi më të mëdha të arrijë një standard jetese më të lartë e karierë më të sukseshme se sa dikush pa shkollë e pa zanat.
Në kontekstin e lëvizjes në një rrafsh të caktuar, mund të jenë një numër besimesh, doktrinash, zakonesh, traditash, idesh, etj., që e luajnë këtë rol, në të cilat njeriu ndihet mirë, i sigurtë, i lirë etj. Mënyra më e mirë që ka dhënë rezultate te unë personalisht është besimi në Zot, në Jezu Krisht dhe në Frymën e Shenjtë. Unë besoj se Zoti na ka dhënë jetën pra kohën që të jetojmë, Krishti na vërtetoi në tokë se energjia qiellore dhe ajo e tokës është e njëjta gjë derisa biri i Perëndisë jetoi si njeri, shkëmbeu energji me njerëzit dhe u ngrit prapë në Univers, duke lënë tek ne njerëzit e zakonshëm Frymën e shenjtë për ta përdorur si energji sipas vullnetit të Zotit. Dhe unë jam në paqe me veten, sepse e ndiej atë energji brenda meje duke më orientuar në jetën time e madje duke më ndihmuar në ato objektiva për të cilat marr shenjat e dakordësisë duke u konsultuar edhe me librin e shenjtë Biblën.
Nga ky model i ndërtuar si më lart, pra çdo jetë është një pikë në hapësirën me koordinata kohën, energjinë dhe të panjohurën që duke lëvizur le gjurmën e vet, secili mund të nxjerrë përfundime sipas logjikës së vet se si të orientohet në jetë drejt suksesit.