NGA FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA TEK SPAK
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar SPAK-un se po mbron qeverinë dhe po amniston krimin elektoral, duke e cilësuar institucionin si pjesë të asaj që ai e quan narkoshtet. Duke folur për gazetarët nga oborri i SPAK, ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme për mos hetimin e shkeljeve që shoqëruan zgjedhjet e 11 majit. ‘Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral’, deklaroi Berisha, duke pretenduar se dokumentet e institucioneve ndërkombëtare kanë evidentuar shkrirjen e strukturave partiake me ato shtetërore gjatë procesit zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha iu referua raporteve të ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, duke pretenduar se ato kanë evidentuar se ‘partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një’. Berisha e akuzoi SPAK-un se, duke mos hetuar këto çështje, po shndërrohet në ‘patericë kryesore të narkoshtetit’. Madje, gjatë prononcimit, ai deklaroi se do të rikthehej pranë institucionit me maskë kundër drogës, pasi, sipas tij, ‘aty qelbej drogë vendi’.
Kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për raportin mes SPAK-ut dhe qeverisë, duke deklaruar se, institucioni nuk po vepron në mënyrë të pavarur dhe se po mbron zyrtarë të lidhur me pushtetin. Ai përmendi edhe dosjen e Arubës, ku është i përfshirë edhe Edi Rama, një çështje që sipas lideri rë demokratëve duhet të hetohen nga drejtësia.
I pyetur për kërkesat për largimin e tij nga drejtimi i PD-së, kryetari Sali Berisha u përgjigj se ato i bëjnë nder, duke i cilësuar si dëshmi se është kthyer në kundërshtarin kryesor të regjimit. ‘Kjo kërkesë më bën nder shumë. Sepse fakton edhe një herë se Sali Berisha është tmerri dhe ferri i narkoregjimit, i narkopushtetit, i narkozyrtarëve dhe i bandave të tij. Ndjehem krenar!’, tha ai.
Sa i përket protestës studentore, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se, PD-ja i është përgjigjur e para thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Universitetit për protestën e 13 tetorit. Ai nënvizoi faktin se, se trukturat e Forumit Rinor të PD-së kanë luajtur rol në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve, por theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar. ‘Kjo protestë, kjo revoltë është studentore. Ata që kërkojnë ta kapin, ata do përfundojnë aty ku e kanë vendin’, deklaroi Berisha, duke shtuar se të rinjtë demokratë do të jenë pjesë e protestës, por ‘jo me simbole partiake, sepse ne respektojmë frymën dhe karakterin qytetar’.

