Udhëzimi nr. 16, datë 27 gusht 2026, duhet lexuar pa propagandë dhe me kujdes.
Ai nuk vendos 30 nxënës në një klasë të vetme.
Ai parashikon që, kur në pesë klasat e ciklit fillor ka gjithsej 21–30 fëmijë, mësimi të organizohet në vetëm tri klasa; kur janë 31–50 fëmijë, në katër klasa.
Por pikërisht këtu fillon aktakuza e vërtetë!
Shqipëria është boshatisur deri në atë pikë, sa qeveria nuk harton më politika për të mbajtur familjet dhe fëmijët në vend, por udhëzime për të administruar shkollat që mbeten pa nxënës.
Pesë nivele shkollore të ngjeshura në tri apo katër klasa. Fëmijë me mosha, programe dhe ritme të ndryshme të nxëni. Mësues të detyruar të copëtojnë vëmendjen dhe nxënës të zonave rurale të dënuar të marrin një standard më të ulët arsimimi.
Zonja Ministre!
Fëmija i zonave rurale nuk është nxënës i kategorisë së dytë.
Ky udhëzim nuk përmban as hartë të shkollave që preken, as numër të nxënësve dhe mësuesve të përfshirë, as analizë pedagogjike, as kosto financiare, as plan trajnimi apo garanci për cilësinë.
Nuk thuhet as se çfarë do të ndodhë me vendet e punës së mësuesve.
Ai është thjesht sanksionim i ftohtë i një realiteti dramatik të arsimit tonë dhe ka vetëm aritmetikë burokratike mbi rrënojat e shpopullimit.
Edhe ulja e pragut nga mbi 80 në mbi 60 nxënës për emërimin e një drejtori nuk është dëshmi zhvillimi. Është vula zyrtare mbi tkurrjen dramatike të shkollës shqiptare.
Rama nuk po e lufton shpopullimin.
Po e përkthen atë në udhëzime dhe po standardizon pabarazinë.
Dhe në fund ky udhëzim është kapitullimi demografik i qeverisë, i shkruar në gjuhën e një akti me gjasme ligjor


