Berisha pretendon se Zalla nuk është arrestuar nga policia, por është dorëzuar vetë. Sipas tij, deklaratat e ministrit për mënyrën e arrestimit kanë çorientuar opinionin publik.
Duke iu referuar disa ngjarjeve të fundit kriminale, Berisha e cilësoi situatën e sigurisë në vend si alarmante dhe tha se krimi ka marrë një rol të fortë në shoqërinë shqiptare.
Ai përmendi rastin e Sarandës, një ngjarje të rëndë në Elbasan, si dhe shpërthimin me tritol në banesën e Ylli Zallës.
“Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se dalja publike e Zallës pas shpërthimit tregon, sipas tij, se ai nuk ishte kapur nga policia.
Berisha akuzoi gjithashtu autoritetet se nuk po arrijnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, duke kërkuar përgjegjësi për situatën kriminale në vend.

