Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar për situatën e vështirë nga zjarret që kanë përfshirë vendin.
Begaj shpreh mirënjohje për forcat e përfshira në këtë betejë dhe kërkon dënime të ashpra për keqbërësit që vënë flakën vendit.
Mesazhi i plotë:
Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.
Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona.
Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë.
Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën.
Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve.

