Ti kurrë s’do të pajtohesh me humbjet, humbës i plakur…
– Ti nuk vdiqe, zemra ime — i tha me një zë të mekur, që s’e dëgjonte kush tjetër, përveç mureve që kishin mësuar të mos flisnin. Mureve të mbytura nga heshtnajat!
– Ti vetëm ike nga dhoma, zemra ime, siç ikin zogjtë nga strofulla kur u rritën pendlat. Kur kraharori u fryhet me fluturim, e zemra u rreh me qiellin.
– Fluturove për ta prekur lartësinë, por nuk u shkëpute kurrë nga toka e bablokut.
Ti çdo natë kthehesh, e veshur me fustan nuserie, për të më kujtuar se engjëjt nuk rrinë vetëm në qiell — ndonjëherë zbresin të ulen n’krevatin te bablokut tënd.
Qëndron në cepin e djathtë, ku dikur më prisje me grushtin plot lapsa, ngjyra-ngjyra, të ma vizatoje mjekërrën e mustakun! Faqet të mi bëje via-via!
– Tani rri si një hije drite, që merr frymë bashkë me frymëmarrjen time. Bebëzat e syve të ndrrojnë ngjyrnat, bëhën të kuqe, herë të kaltërta si një liqen që hesht në muzg, e herëherë… si elmaze që i ka humbur drita brenda.
Unë nuk lëviz. Kam frikë se nëse marr frymë më fort, ti do të tretesh. Kam frikë se nëse të flas, do më ikësh sërish — e ti je e vetmja që më ke mbetur përtej realitetit.
S’ka më zë në këtë shtëpi përveç zërit tënd, që më vjen si era kur përplaset në xhamat me avull. Aty më shkruan mesazhe me gishta të hollë: fjalë që askush tjetër s’i thotë më, fjalë që vetëm fryma mund t’i lexojë.
Ti buzëqesh, unë mbushem me lot. Ti hesht, unë dëgjoj muzikën e heshtjes sate. Dhe ndiej, thellë në kraharor, një mall që nuk më lë të vdes —më mbanë pezull, si ëndrrat e papërfundura në agim.
— Fol, më thotë mendja. — Fol, se koha është e shkurtër, e hija e saj nuk vonon!
Por gjuha ime është gozhduar nga trembja, se nëse të thërras, do të shuhesh si dritë qiriri para erës.
Shtatë vite pres. E ti vjen vetëm shtatë sekonda. Shtatë sekonda që zgjasin sa një përjetësi.
Buzëqesh. Shkruan. Ikën… kur hëna bie mbi kreshtat dhe zogu i parë i mëngjesit thërret.
— Pse fole?! — i tha të shoqes që flinte pranë. — Kush të tha të flasësh?
Pse s’heshtë siç hesht unë! Pse flet kur unë flas me kujtimet e mia?!
Ajo u rrotullua në krahun tjetër, duke mërmëritur, pa hapur sytë:
— Ti kurrë s’do të pajtohesh me humbjet, humbës i plakur…
— Flij! Mos e tremb vetminë…
Ajo fjeti sërish, ndërsa ai mbeti sërish i zgjuar, duke biseduar me mungesën që kishte fytyrën e ëngjullit!
10.04.2025

