Beqir SINA
NEW YORK : Ish-kongresmeni amerikan dhe ish-kreu i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, ka bërë një gjest të jashtëzakonshëm duke i dhuruar bibliotekën e tij personale Bibliotekës Presidenciale “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Lajmin për këtë dhurat e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili e ka vlerësuar këtë akt si dëshmi të përkushtimit të palëkundur të DioGuardit për çështjen shqiptare.
“Ky akt i jashtëzakonshëm është vazhdimësi e angazhimit të tij të palodhshëm ndaj çështjes shqiptare dhe përkushtimit të tij në mbështetje të popullit shqiptar. Ai dëshmoi edhe një herë se dashuria për shqiptarët nuk është një periudhë kalimtare, por një angazhim i vazhdueshëm, që shkon përtej kufijve dhe kohërave”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.
Ai shtoi se kjo trashëgimi do të mbetet gjithmonë në zemrat dhe kujtimet e popullit shqiptar, duke falënderuar thellë DioGuardin për këtë kontribut të veçantë.
Siç dihet Joe DioGuardi së bashku me bashkëshorten e tij Këshilltaren e Çështjve Ballkanike , Shirli Cloyes – DioGuardi është një nga figurat më të njohura në mbështetjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, veçanërisht lobimi i tij në Washington para dhe gjatë luftës dhe periudhës së pasluftës në Kosovë.
Dhurimi i bibliotekës së tij për bibliotekën me emrin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, konsiderohet simbol i fuqishëm i miqësisë së qëndrueshme shqiptaro-amerikane.


