Një heshtje e frikshme mbizotëron kudo, syri të sheh vetëm shtëpi të rrënuara, rrugë të shkatërruara dhe teksa ecën të krijohet një ndjesi sikur jeta nuk vazhdon më për këtë vend. Vetëm kështu mund të përshkruhet gjendja e fshatit Çërrilë në Mallakastër, i cili është shpopulluar masivisht në 10-vjeçarin e fundit. Fshati shtrihet mes bukurive të shumta natyrore dhe pyjeve masivë me pisha, ndodhet në kufij me qarkun e Beratit, rreth 20 kilometra larg Ballshit, por fatkeqësisht duket se historia e tij mbaroi shpejt, pasi banorët kanë zgjedhur ta braktisin.
Dikur Çërrila numëronte mbi 300 familje, madje kishte kopsht, shkollë, administratë, qendër shëndetësore dhe gjithçka tjetër që i duhej një vendi për të jetuar. Sot, në këtë fshat nuk banojnë më shumë se 15 familje, pasi njerëzit u larguan drejt zonave urbane dhe shumë të tjerë ikën në emigracion. Në Çërrilë shumica e banorëve janë të moshuar, të cilët jetesën e mbështesin me pensionet minimale që marrin nga puna në ish-kooperativat bujqësore, ndërsa për ata pak fare që s’kanë mbushur ende moshën e pensionit, detyrohen ta sigurojnë ekzistencën duke punuar tokat.
Duket se jeta e këtyre banorëve ecën vetëm për inerci të kohës, ndërsa snobët që udhëheqin Mallakastrën, në gjithë këto vite nuk u kujtuan kurrë për fshatrat që tashmë po rrezikojnë të zhduken njëherë e përgjithmonë. Për një shërbim shëndetësor, të moshuarit e Çërrilës duhet të udhëtojnë drejt Fratarit, Aranitasit ose Ballshit. Udhëtimi mbetet mision më vete, i cili në ditët me shi bëhet i pamundur, pasi rruga e amortizuar nuk njeh asnjë investim prej dekadash, qoftë dhe në kohë fushate elektorale, ashtu siç bëhen gjithmonë punë publike pa cilësi për të marrë vota.
Të moshuarit në Çërrilë shprehen se fëmijët e tyre u larguan në emigracion, të detyruar nga kushtet ekonomike të dobëta dhe mundësive që Shqipëria nuk ua ofronte. Banorët tregojnë se para viteve ’90 fshati i tyre kishte gjallëri dhe zhvillim ekonomik, ndërsa situata ndryshoi për keq në vitet e fundit me shpopullimin masiv, i cili ka lënë pas shtëpi të braktisura dhe tërësisht të rrënuara. Çërrila e lënë deri tani në harresë totale dhe në mëshirë të fatit, me anë të investimeve mund të kthehet në një atraksion turistik.
Në zonën kodrinore ku shtrihet ky fshat me bukuri të rralla natyrore, ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe pikave të agroturizmit, mund t’i japin Çërrilës zhvillimin e munguar për vite me radhë dhe ta kthejnë atë në një zonë turistike të preferuar për turistët vendas dhe sidomos për ata të huaj, të cilët ende kërkojnë të zbulojnë më shumë rreth Shqipërisë. Jo vetëm fshati Çërrilë, por e gjithë njësia administrative Selitë, përgjatë viteve të fundit është prekur nga shpopullimi i pandalshëm, për shkak të gjendjes së mjerueshme ku ndodhen zonat rurale të Mallakastrës.
Nga Mallakastra News

