Gjykata e Posaçme ka pranuar ankimin e eurodeputetit Fredi Beleri dhe ka urdhëruar SPAK të regjistrojë kallëzimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Gjykata ka vlerësuar se kallëzimi i Belerit për veprat penale të Gaçit dhe Xhaçkës është i bazuar në ligj, duke kërkuar që Prokuroria të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet. Sipas kallëzimit, veprimet përfshijnë falsifikimin e dokumenteve dhe tjetërsimin e pasurive të paluajtshme në favor të familjarëve të Xhaçkës, e cila, në atë periudhë, ka ushtruar detyrën e Ministres së Mbrojtjes dhe funksionin e deputetes. Për këtë arsye, ajo ka përfituar pasuri dhe favore të paligjshme.

