Tiranë, 1 Prill 2025 – Në një vendim historik, Këshilli i Ministrave njoftoi sot se 1 Prilli nuk do të festohet më si Dita e Gënjeshtrave!
“E kemi tejkaluar nevojën për një ditë të veçantë. Në Shqipëri, çdo ditë është një 1 Prill,” tha nje punonjëse e Ministrisë së Informacionit, duke kërkuar të mbetet anonime nga frika se mos e bëjnë drejtoreshë.
Vëzhguesit e huaj, entuziastë për këtë zhvillim, e përshëndetën vendimin dhe theksojnë se janë pesë gënjeshtra të mëdha që e kanë bërë 1 Prillin të pavlefshëm.
1. Ujë 24 orë deri në 2017! Një premtim që u tha në çdo miting, çdo studio dhe çdo lagje ku i kërkohej e shkreta votë miletit. Sot ne vitin 2025, qytetarët kanë ujë 24 orë… por vetëm në Facebook-un dhe Instagramin e kryebashkiakëve.
2. Hekurudha Tiranë-Durrës dhe sistemi hekurudhor modern! E promovuar si perla e transportit kombëtar.
Sot, trenat janë ende në fazën “PowerPoint”, ndërsa linja më e suksesshme hekurudhore është ajo mes premtimit dhe harresës.
3. Inceneratorët – Tre inceneratorë të padukshëm për sytë e zakonshëm, dhe të prokurorëve, por shumë të dukshëm dhe funksional për buxhetin e shtetit! Sipas qeverisë, “Vërtet (incineratorët) nuk kanë funksionuar fizikisht, por kanë djegur me sukses 108 milionë euro dhe çdo ndjeshmëri publike ndaj skandalit”
4. Pensionet dinjitoze – Premtim i përsëritur me aq shumë pasion. Sot, me 15 mijë lekë, pensionistët mbijetojnë si pjesë e një eksperimenti të hapur sociologjik mbi rezistencën njerëzore dhe ekzistencën e Zotit.
5. Heqja e TVSH për ushqimet. Shqipëria pritej të bëhej vendi me çmimet më të ulëta për ushqimet , por sot çmimi në marketet dhe supermarket shqiptare ia kalon çmimeve të supetmarketeve në Londer, Paris, Romë, Berlin etj
Në vend të një dite shakaje, Shqipëria ofron paketë “All-Inclusive” për 364 ditë.
Të tjerët mund të qeshin me 1 prillin! Ne jo! Nuk ka kuptim të bësh humor me gënjeshtra në një vend ku ato janë politikë shtetërore, planifikim urban, strategji kombëtare zhvillimi dhe mënyrë jetese.

