(Meqë është 7 marsi ta hapim gojën 🙂)
Partitë, sipas zakonit, edhe sivjet, po premtojnë para, një premtim, që edhe sikur të mbahet, përsëri është pak.
Mësuesit duan Shqipërinë dhe jo vetëm paratë. Jo Shqipërinë ta kenë politikanët dhe mësuesit të kenë vetëm paratë (nëse i kanë edhe ato).
Mësuesit duan që Shqipëria të jetë një vend demokratik, ku çdo institucion të jetë demokratik, pra dhe partitë të jenë demokratike në atë që bëjnë brenda vetes me anëtarët dhe në atë që bëjnë me të tjerët jashtë partisë.
Mësuesit duan që Shqipëria të kujdeset për shqiptarët dhe të ndërtojë shtet ku të gjithë të kontribuojnë për të patur një politikë kombëtare dhe jo ta japin Shqipërinë me pjesë tek të huajtë ose tek biznesi, siç kanë dhënë licensimin e drejtorëve duke eksportuar një kompetencë shtetërore tek të huajtë (Shkolla e drejtorëve) dhe duke i bërë levë shtetit shqiptar nga jashtë, pra shteti të mos ketë atë që e kishte dhe nuk e ka dhe ta ketë privati atë që s’e kishte dhe e ka dhe që është e një rëndësie kombëtare.
Mësuesit duan që të kenë stabilitet në programe dhe rinovimet të jenë në përputhje me zhvillimet e rëndësishme botërore dhe jo sipas dëshirave partiake, për të krijuar “një treg të ri” tekstesh, trainimesh të kota, që krijojnë humbje energjish, parash dhe lodhje të mësuesve në trainime të herëpashershme. Stabiliteti jep shpesh një cilësi më të madhe, natyrisht një stabilitet i ndërtuar mbi një bazë të shkëlqyer.
Mësuesit duan kompetenca tepër të mëdha mbi drejtimin e jetës shoqërore, kulturore, humanitare, të edukimit të komunitetit ku bën pjesë dhe të vendosin në grup si staf shkollor mbi çfarë ndodh aty, duke u bërë arbitër dhe udhëheqës. Askujt më shumë sesa një stafi shkolle publike nuk mund t’i besohet më shumë drejtimi i komunitetit. Ndërkohë po ndodh e kundërta “komuniteti po drejton shkollën” me bordet e prindërve. Nëse mësuesit do të ishin në udhëheqje aq më shumë ata do t’i jepnin rëndësi vetes, cilësive që kanë, përzgjedhjes gjithnjë e më të mirë të stafeve etj. Mësuesit po trajtohen si zbatues dhe jo si udhëheqës. Në çfarë roli t’i vësh ashtu do të jenë. Nëse pozicioni është “i shtypur” atë rol do të luajnë dhe shtypja nga mësuesit kalon tek fëmijët e komunitetit në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe në jetë do të dalin fëmijët e “të shtypurve”.
Me një fjalë, mësuesit nuk kërkojnë më shumë para, por më shumë pushtet në jetën shoqërore të Shqipërisë. Mjekët “u përjashtuan”, mësuesit janë përjashtuar me kohë, po prokurorët e gjykatësit janë me kohë në sitë, administrata dihet, po kush do ta bëjë Shqipërinë, se nuk e dimë? Ndajeni Shqipërinë me të gjitha profesionet dhe mos e mbani për vete! Këtë duan mësuesit.
Udha e Shkronjave

