Kualifikimi në Primaret e PD është një vlerësim i madh nga anëtarësia, për të cilën ndaj një mirënjohje të pazakontë. Oferta e opozitës po gatuhet duke marrë edhe peshën e demokratëve. Por çmoj se është domosdoshmëri të shtohen elementë në vetëdeklarim sa i përket pastërtisë dhe lidhjeve me botën e paligjshmërisë. Kjo në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Sky-enchro-matrix është arkivi penal ku fijet e krimit e mafias kanë emra të politikës drejtësisë, policisë, medies dhe biznesit. Materialet e përgjuara nga viti 2015 deri në mars 2021 janë një panik për përdoruesit dhe debat i madh në drejtësi. Franca-Belgjika dhe Holanda kanë sjellë në Shqipëri në adresë të SPAK miliarda mesazhe. Lidhjet e zbuluara janë vërtet të frikshme. Trafik droge, pastrim parash, krim i organizuar. Pak ditë më parë një bashkëpunim edhe në trysni kohe bëri që e gjithë databaza e të dhënave të merret edhe nga amerikanët. Tani qartësisht partnerët BE-USA e dinë kush ka blrë çfarë dhe ku. Opozita, PD, kohë më parë kërkoi ndryshim të rregullores së Kuvendit për të shkuar drejt deklarimit të parlamentarëve nëse kanë qenë përdorues. Por pamundësia e numrit të votave nuk sjell kthimin e nismës në detyrim ligjor. Kandidatët e PD dhe të opozitës do të ishte mirë të vetëdeklarohen se nuk kanë qenë në kënetën e kësaj bote mafioze. Unë këtë deklarim e bëj për shkak të angazhimit aktual. Përdorues të këtyre aplikacioneve ku gjendet dominuese bota e zezë nuk kemi qenë as unë as familjarët e mi. Nuk duhet të përballemi me surpriza nesër. Duke sforcuar PD të mbrojë politikisht atë që ka telashe juridike të prodhuara individualisht. Kush nuk ka halle nuk ka takim me frikën.

