Abaz Kupi lindi në Krujë më 6 gusht 1892 dhe ndërroi jetë si sot, më 9 janar 1976, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëse politika përbashkuese e Abaz Kupit, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk do ishte tradhëtuar nga kulisat e brendshme komuniste për pushtet dhe interesat të ndryshme gjeopolitike të jashtme, Shqipëria mund dhe do të ishte ndryshe, ajo do të ishte një Shqipëri pa komunizëm, pro perendimore dhe e bashkuar etnikisht nën kurorën mbretërore.
Karriera dhe Lufta Antifashiste
Pas formimit të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, së bashku me Ahmet Zogun, Abaz Kupi mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik. Ai shërbeu si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit, duke fituar respektin e popullsisë vendase. Në vitin 1934, u gradua major dhe u emërua komandant i xhandarmerisë në Durrës, një pozicion që e mbajti deri në pushtimin italian më 1939.
Më 7 prill 1939, i ngarkuar nga Mbreti Zog I, organizoi rezistencën kundër pushtimit italian, por pas pushtimit, u largua në Stamboll, ndërsa familja e tij u internua fillimisht në Himarë dhe më pas në Itali, në kampet e Brindizit dhe Sienës.
Kontributi gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Abaz Kupi u kthye në Shqipëri me ndihmën e britanikëve, duke udhëhequr forcat nacionaliste në rezistencën kundër pushtuesve. Ai ishte një nga organizatorët e Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në vitin 1943, ai ndërmjetësoi në përgatitjen e Konferencës së Mukjes, një përpjekje për bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar kundër pushtuesve.
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga Partia Komuniste, Kupi u largua nga Këshilli Nacionalçlirimtar dhe më 21 nëntor 1943, bashkë me intelektualë nacionalistë, themeloi Organizatën Kombëtare “Lëvizjen e Legalitetit,” që synonte rikthimin e Mbretit Zog dhe çlirimin e Shqipërisë në të gjitha trojet etnike.
Largimi nga Shqipëria dhe Emigracioni
Në tetor 1944, Abaz Kupi u largua nga Shqipëria drejt Italisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u angazhua në organizimin e emigracionit politik shqiptar dhe ishte pjesë e Komitetit “Shqipëria e Lirë.” Në vitin 1949, u emërua president i Juntës Ushtarake, nën projektin britanik-amerikan “Valuable,” për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
Deri në vdekjen e tij në 1976, Abaz Kupi vazhdoi të ishte udhëheqës i Legalitetit në mërgim, duke mbetur një figurë e spikatur nacionaliste dhe një mbështetës i kauzës mbretërore.
Trashëgimia
Gjeneral Abaz Kupi do të kujtohet si një nga strategët më të rëndësishëm të rezistencës antifashiste dhe një mbrojtës i pandërprerë i idealit të një Shqipërie etnike të bashkuar nën kurorën mbretërore, duke kundërshtuar çdo formë të komunizmit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij !




