Nga Xhelal Mziu
Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë ishin premtuar 5% të PBB në 2013, në 2025 janë planifikuar vetëm 2,4% të PBB. Pjesën më të madhe e konsumojnë 4 koncesionet e shëndetësisë!
Mbi 61% të vlerës së barnave paguhen nga pacientët në Shqipëri, rekord europianë.
Në Europë në 6 vitet e fundit janë miratuar 215 medikamente, në Shqipëri vetëm 20 prej tyre rimbursohen!
Sektori i shëndetësisë është në situatë kritike për shkak të shpenzimeve të ulëta, qytetarët nuk kanë akses në ilaçe cilësore falas. Rimbursimi mbulon vetëm 35% të konsumit të produkteve farmaceutike.
Vlera e importeve të produkteve farmaceutike është rritur me shpejtësi nga viti në vit, sidomos pas pandemisë COVID-19, e cila ka rritur barrën e sëmundjeve në popullatë.
Për vitin, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetëror i rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë.
Pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022.
Nga viti 2018 e deri më 2021 janë miratuar gjithsej 46 barna që trajtojnë sëmundjet onkologjike, por Shqipëria ka pranuar në listat e saj të rimbursimit vetëm 3 prej tyre. Për të njëjtën periudhë 61 barna të reja përdoren për trajtimin e sëmundjeve të rralla në Europë, ndërsa në Shqipëri janë përfshirë në listat e rimbursimit vetëm 2 prej tyre.
Kapacitetet e Shqipërisë për të përfshirë terapi të reja në listën e rimbursimit janë ulur dukshëm vitet e fundit. Gjatë vitit 2014-2017, Europa miratoi për përdorim 154 barna të reja, ndërsa Shqipëria pranoi në listat e rimbursimit vetëm 18 prej tyre.

