Mbrëmjen e djeshme në TOP STORY në një nga kanalet kombëtare po diskutohet në mbrojtje të një artisteje që e ka lënë Shqipërinë rreth 3 dekada më parë për një jetë më të mirë në Amerikë.
Në qoftë se klima në Shqipëri do ishte e tillë, që histeria e disave ndaj një këngëtareje që ka ikur me dëshirë në USA, në kërkim të famës do të ishte vërtetë “e zeza” e shoqërisë tonë, unë solidarizohem pa kushte!
POR …
Në Shqipërinë tonë janë linçuar plot mjekë e infermierë në mënyrën më barbare, nga media e nga pushteti dhe të tillë bëhen shumë që nga prof. Edvin Prifti deri tek Frrok Bardhi .
Janë arrestuar mjekë nga forcat e RENEAS përballë kamerave për asgjë, për akuza pa asnjë bazë, ndërkohë që qindra politikanë janë akuzuar e nuk ju hynë asnjë gjemb në këmbë.
Mund t’ju sjell disa emra mjekësh e infermierësh që ju është shkatërruar jeta personale e profesionale vetëm sepse kanë kritikuar qeverinë dhe këto TV nuk ju kanë kushtuar asnjë fjalë mbështetëse, përkundrazi; i kanë linçuar!
E pra, këta janë vertetë heronj që kanë kontribuar duke shpëtuar mijëra jetë shqiptarësh, dhe vendi i tyre i shkeli, i çnderoi e i dhunoi publikisht duke i shkatërruar skajshëm.
Dhe nuk janë vetëm mjekë, janë ushtarakë, arsimtarë, inxhinierë etj që janë dhunuar e vazhdojnë të dhunohen deri në palcë për votën, dinjitetin, jetën.
E unë natyrshëm arsyetoj se ky emision (ashtu si edhe të tjerë) është thjeshtë provokim i programuar ndaj realitetit ku jemi gremisur; na fton të jemi delikatë ndaj atyre që kanë emigruar në USA, Evropë a kudo tjetër dhe të shurdhër e memecë ndaj heronjve të vërtetë që shkelen e poshtërohen çdo ditë në vendin tonë.

