Ekonomisti i një firme inertesh është vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Kurbin, ndërsa pronari, që dyshohet se ishte objektivi i atentatit, mbeti i plagosur.
Viktimë e atentatit në ambientet e kompanisë ku ishte i punësuar ka mbetur
70-vjeçari Selman Mihana, i cili ishte i punësuar si ekonomist në firmën e inerteve.
Krimi u shënua rreth orës 7 të mëngjesit të kësaj të shtune, në Gurëz të Kurbinit, ku ndodhet firma e inerteve në pronësi të 51-vjeçarit Ardjan Gjeloshi dhe ku punonte Selman Mihana.
Nga hetimet paraprake është konfirmuar se objektivi i sulmit ishte eliminimi i pronarit Ardjan Gjeloshi.
Këtë e pohoi në një prononcim për gazetarët nga vendngjarja zëvendësdrejtori i Policisë së Lezhës, Gentian Berberi.
Qitja është kryer nga jashtë rrethimit të biznesit, pranë hyrjes. Objektivi mendohet se ka qenë në një largësi rreth 200 metra. Si pasojë e breshërisë së të shtënave, mbeti i plagosur Ardjan Gjeloshi, ndërsa humbi jetën Selman Mihana. Burime spitalore konfirmojë se i plagosuri Gjeloshi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autorët dyshohet se janë larguar me një automjet pas atentatit.

