Kjo nuk do të zgjasë. Ka shumë rreziqe, duke përfshirë norma të larta interesi për një kohë më të gjatë, shkruan The Economist
Edhe pse kanë shpërthyer luftërat dhe klima gjeopolitike po bëhet më e zymtë, ekonomia botërore ka bërë një qëndresë të habitshme. Vetëm një vit më parë, të gjithë mendonin se normat e larta të interesit do të shkaktonin së shpejti recesion.
Tani, edhe optimistët kanë mbetur të habitur. Ekonomia e Amerikës u përshpejtua në tremujorin e tretë, duke u rritur me një ritëm mahnitës vjetor prej 4.9%.
Në mbarë botën, inflacioni po bie, papunësia ka qëndruar kryesisht e ulët dhe bankat e mëdha qendrore mund të kenë ndaluar shtrëngimin monetar.
Kina, edhe pse e goditur nga kriza e pronave, duket se do të ketë një rritje modeste. Megjithatë, për fat të keq, ky gëzim nuk mund të zgjasë. Themelet për rritjen e sotme, duken të paqëndrueshëm. Rreziqet në të ardhmen janë të shumta.
Ekonomia e papërmbajtur ka nxitur parashikimet se normat e interesit, megjithëse nuk po rriten më me shpejtësi, nuk do të bien shumë.
Së fundmi, Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale i kanë mbajtur normat e interesit të pandryshuara; Banka e Anglisë pritet të ndjekë të njëjtën rrugë.
Prandaj, yield-et e bonove afatgjata janë rritur ndjeshëm. Qeveria e Amerikës duhet të paguajë tani 5% për të marrë hua për 30 vjet, nga vetëm 1.2% gjatë recesionit pandemik. Edhe ekonomitë e njohura për norma të ulëta interesi kanë përjetuar rritje të mprehta të tyre.
Jo shumë kohë më parë, kostot e huamarrjes së Gjermanisë ishin negative; tani, yield-i i bonove të saj dhjetëvjeçare është gati 3%. Banka e Japonisë ka hequr dorë nga premtimi për të fiksuar kostot e huamarrjes dhjetëvjeçare në 1%.
Disa ekonomistë, duke përfshirë sekretaren e Departamentit të Thesarit të Amerikës, Janet Yellen, thonë se këto norma më të larta interesi janë një gjë e mirë, sepse reflektojnë gjendjen e ekonomisë botërore.
Në fakt, ato janë një burim rreziku. Për shkak se normat më të larta ka të ngjarë të vazhdojnë, politikat e sotme ekonomike do të dështojnë dhe po ashtu edhe rritja që ato kanë nxitur.
Për të kuptuar pse kushtet e mira ekonomike të ditëve të sotme nuk mund të vazhdojnë, duhet të shqyrtojmë një nga arsyet pse ekonomia e Amerikës në veçanti ka ecur më mirë se sa pritej.
Konsumatorët amerikanë kanë shpenzuar paratë e grumbulluara gjatë pandemisë nga ndihmat qeveritare dhe kanë qëndruar më tepër në shtëpi.
Këto kursime të tepërta mendohej se ishin shteruar deri tani. Por të dhënat e fundit, tregojnë se familjeve u ka mbetur ende rreth 1 trilion dollarë në total, gjë që shpjegon pse kanë kursyer më pak të ardhura se në çdo periudhë të viteve 2010.
Kur këto rezerva të tepërta kursimesh të kenë mbaruar, do të fillojë të ndihet edhe efekti i normave të larta të interesit, duke i detyruar konsumatorët të shpenzojnë më pak.
Dhe do të fillojnë të shfaqen telashe në të gjithë ekonominë botërore, nëse normat qëndrojnë më të larta për një kohë më të gjatë.
Në Europë dhe në Amerikë, falimentimet e bizneseve tashmë po rriten në numër; edhe kompanitë që kanë marrë borxh afatgjatë me norma të ulëta interesi, me kalimin e kohës, do duhet të përballen me kosto më të larta financimi.
Çmimet e banesave do të bien, të paktën në terma të rregulluar sipas inflacionit, pasi ato u përgjigjen hipotekave më të shtrenjta.
Dhe bankat që mbajnë letra me vlerë afatgjata, të cilat janë mbështetur nga huatë afatshkurtra, do duhet të rrisin kapitalin ose të bashkohen me njëra-tjetrën, për të mbyllur hendeqet e shkaktuara në bilance nga normat më të larta.
Bujaria fiskale
Bujaria fiskale ka nxitur edhe më tepër vrullin në ekonominë botërore. Në një skenar ku normat do të rriten për një kohë më të gjatë, kjo bujari gjithashtu duket e paqëndrueshme.
Sipas FMN-së, Britania, Franca, Italia dhe Japonia kanë gjasa të kenë deficite prej rreth 5% të PBB-së në vitin 2023. Në 12 muajt deri në shtator, deficiti i Amerikës ishte 2 trilionë dollarë, ose sa 7.5% e PBB-së. Kjo shifër është sa dyfishi i asaj që pritej në mesin e vitit 2022.
Në një kohë kur papunësia është e ulët, një huamarrje e tillë është jashtëzakonisht e pamatur. Borxhi i qeverive si pjesë e PBB-së në vendet e pasura, tani është në nivelin më të lartë, që nga koha e luftërave të Napoleonit.
Kur normat e interesit ishin të ulëta, edhe borxhet e larta ishin të menaxhueshme. Tani që normat janë rritur, faturat e interesit po shterojnë buxhetet.
Rrjedhimisht, skenari i normave më të larta për një kohë më të gjatë, kërcënon të shkaktojë përplasje midis qeverive dhe bankave qendrore që shënjestrojnë inflacionin.
Tashmë, zonja Yellen është ndier e detyruar të argumentojë se bonot e thesarit nuk mbartin premium rreziku dhe Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, ka këmbëngulur se banka e tij nuk do të ulë normat e interesit dhe nuk do të lejojë që inflacioni të marrë tatëpjetën, thjesht për të lehtësuar trysninë mbi buxhetin e qeverisë.
Çfarëdo që të thotë zoti Powell, një skenar ku normat e interesit do të vazhdonin për një kohë më të gjatë, do t’i shtynte investitorët të vinin në dyshim premtimet e qeverive për të mbajtur inflacionin të ulët dhe për të shlyer borxhet.
Zotëruesit e bonove të BQE-së tashmë po përqendrohen në borxhin e qeverisë italiane, të cilin ajo e mbështet me kredi, një detyrë që është bërë shumë më e vështirë në një botë me norma të larta.
Edhe kur yield-et e bonove të qeverisë japoneze ishin vetëm 0.8% vitin e kaluar, 8% e buxhetit të Japonisë shkoi për pagesat e interesit. Imagjinoni tendosjen nëse yield-et do të arrinin qoftë edhe nivelet relativisht modeste të Gjermanisë.
Për rrjedhojë, disa qeveri do të vazhdojnë të shtrëngojnë rripat. Por kjo mund të sjellë dhimbje ekonomike.
Këto tendosje do ta bëjnë të vështirë që ekonomia botërore të përmbushë shumë gjëra që tregjet presin prej saj: shmangien e recesionit, uljen e inflacionit, në kushte të borxheve të mëdha dhe normave të larta të interesit.
Ka më shumë gjasa që epoka e normave të larta të interesit do të detyrohet të marrë fund, duke sjellë dobësi ekonomike që do t’i lejojë bankat qendrore t’i ulin normat pa u rritur inflacioni.
Një mundësi më shpresëdhënëse është që të përshpejtohet rritja e produktivitetit, ndoshta falë Inteligjencës Artificiale.
Rritja e të ardhurave që do të vinte si rrjedhojë, do t’i bënte të përballueshme normat më të larta të interesit. Në të vërtetë, shifrat e publikuara më 2 nëntor pritet të tregojnë se produktiviteti i Amerikës u rrit në tremujorin e tretë.
Potenciali i Inteligjencës Artificiale për të rritur produktivitetin, mund të shpjegojë pse deri tani, mundësia e vazhdimit të normave të larta të interesit nuk ka shkaktuar rënien e tregjeve të aksioneve.
Po të mos llogaritej rritja e vlerës së shtatë kompanive të teknologjisë, duke përfshirë Microsoft dhe Nvidia, treguesi S&P 500 i aksioneve amerikane do të kishte rënë këtë vit.
Mos shikoni poshtë
Pavarësisht kësaj shprese, bota kërcënohet nga rreziqe që mund të ulin produktivitetin. Donald Trump ka thënë se do të vendosë tarifa të reja, nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Qeveritë po shtrembërojnë gjithnjë e më shumë tregjet me politikat industriale. Shpenzimet shtetërore po rriten si pjesë e ekonomisë, me plakjen e popullsisë, tranzicionin e energjisë së gjelbër dhe konfliktet në mbarë botën që kërkojnë më shumë shpenzime për mbrojtjen.
Përballë gjithë këtyre sfidave, kushdo që vë bast se ekonomia botërore do të vazhdojë si normalisht, po luan një lojë të rrezikshme
Interesat
Disa ekonomistë, duke përfshirë sekretaren e Departamentit të Thesarit të Amerikës, Janet Yellen, thonë se këto norma më të larta interesi janë një gjë e mirë, sepse reflektojnë gjendjen e ekonomisë botërore. Në fakt, ato janë një burim rreziku. Për shkak se normat më të larta ka të ngjarë të vazhdojnë, politikat e sotme ekonomike do të dështojnë dhe po ashtu edhe rritja që ato kanë nxitur.

