Relativizimi dhe të kthyerit të padrejtësive në normalitet janë parakushti për të vrarë njëherë e mirë shpresën dhe besimin e qytetarëve për ndryshim.
Shqipëria ka të ngulitur protestën e studentëve të vitit 1990, si një pararojë e një ngjarje me rëndësi historike, përmbysjen e sistemit të tmerrshëm diktatorial. Po ashtu, sërish studentët, ishin ata që mbushën rrugët për të kërkuar të drejtat e tyre edhe në vitin 2018, e sërish edhe sot në 2023 shkruajmë e flasim për protestat e tyre.Sa kohë ka të rinj që protestojnë, ka shpresë.
Megjithatë, kauza e studentëve të mjekësisë sot, është një tregues i fortë i dobësisë së institucioneve shtetërore, një dështim i tyre me një pasojë që qytetarët shqiptarë do ta vuajnë për shumë kohë.
Në 1990, motoja e studentëve ishte: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ëndrrën e prindërve të tyre, të rinjtë sot, jo vetëm që nuk po e prekin, por po përballen me një Shqipëri ku ashtu si në diktaturë atyre u privohet liria e zgjedhjes.
Mjafton të bëjmë një retrospektivë të shkurër, për ta kuptuar se sa janë mbështetur realisht këto vite studentët, brezi i ardhshëm i profesionistëve të rinj të vendit? Sa mundësi reale ju është ofruar për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre? A janë bërë ndonjëherë shqetesim për qeveritarët shifrat alarmante të emigrimit të të rinjve?
Sipas Instat vendi kishte 40 mijë më pak të rinj nga 0-29 vjeç në janar 2023, në krahasim me janarin 2022; 78% e mjekëve duan sot të largohen nga vendi me shkaqe kryesore: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës. Zgjidhja për këtë protestë të studentëve është krejt e thjeshtë nëse në thelb qëllimi është ofrimi i shërbimeve më të mira, si për studentët sot, mjekët e së ardhmes ashtu dhe për qytetarët që do marrin shërbimet shëndetësore.
Dukshëm studentët dhe të rinjtë e kanë dhënë pulsin e ndryshimit dhe reagimit për të ardhmen e tyre. Sot rrugët e kryeqytetit shqiptar mbushen për të mbrojtur jo vetëm të drejtën e studentëve të mjekësisë, por shumë më tepër. Secili prej tyre ka guxuar të dalë përtej “ofertës së varfër dhe mbytëse” të shtetit, ka guxuar për çdo qytetar duke mbrojtur të ardhmen.
Të gjithë raportet ndërkombëtare pasqyrojnë gjendjen e rënduar të vendit, me rritjen alarmante të emigrimit të të rinjve, të ardhurat e ulta për profesionistët e familjet shqiptare dhe nga ana tjetër nivelin e lartë të papunësisë e mungesën e theksuar të drejtësisë. Këto raporte në fakt nuk shprehin as më pak e as më shumë se realitetin dhe shqetësimet e drejta që edhe sot gjejnë zë në protestën e studentëve të mjekësisë.
Të rinjtë kanë nevojë jetike frymëmarrje ashtu si një pacient për oksigjen, ku i sëmuri ndër vite për Shqipërinë mbetet sistemi i ndërtuar jo me parimet e meritokracisë dhe vlerave por mbi modelin e zgjidhjeve afatshkurtra dhe interesave të ngushta.
Qytetarët shqiptarë janë përballur jo pak herë me situata të padrejta ku nuk janë vlerësuar as bazat morale e njerëzore e aq më pak ato institucionale. Reagimi ndaj tyre ka shprehur padiskutim qyetatarinë e nevojshme por duket se kjo nuk mjafton. Megjithatë, pikënisjet e një reagimi kanë qenë shpeshherë dhe post-goditje të një reagimi më të fuqishëm nga të gjithë qytetarët, e si e tillë duhet të shërbejë edhe protesta e drejtë e studentëve të mjekësisë.
E nga ana tjetër, është detyrim moral dhe qytetar, një përgjigje e çdo institucioni të përgjegjshëm të republikës së Shqipërisë mbi protestën e studentëve të mjekësisë.
Studentët shqiptarë do të tregojnë maturinë e tyre për të qenë qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, por gjithmonë zgjedhjen në liri të plotë për ta ndërtuar jetën e tyre.
Duke bërë zgjedhjen e duhur dhe më të mirën mes patriotizmit dhe nevojës për një jetë më me dinjitet…

