Këshilli bashkiak i Vlorës ka marrë përsëri në shqyrtim buxhetin vjetor të bashkisë.
Duket se aty mungon ekspertiza dhe serioziteti i nevojshëm përderisa, brenda një kohe të shkurtër, futet në rendin e ditës shqyrtimi i buxhetit vjetor.
Dhe dihet fakti që vlonjatët i kanë gati batutat edhe për gjëra që shkojnë mirë dhe jo më për ato që burojnë humor.
Ajo çfarë dëgjon për këtë historinë e buxhetit në Vlorë janë si më poshtë:
“Gomaricat e Bashkisë vijnë vërdallë,
E bën buxhetin qumësht, e bën dhallë…”
E ka kush e ka, Mos u nxeh, Tavëll, e lojë dore.
Ja kështu është kthyer puna e Këshillit Bashkiak në Vlorë, sidomos në momentet kulminante të diskutimit, shqyrtimit, analizës, monitorimit, planifikimit e votimit(“kalimin” siç e quajnë ndrikullat e bashkisë) të buxhetit të Bashkisë Vlorë.
Ky buxhet është portofoli i shtëpisë sonë, i Vlorës, duke simbolizuar ekonominë tonë, të ardhmen dhe vazhdimësinë e këtij qyteti të bekuar; por është bërë traditë tashmë që Këshilli çdo fundviti e sa herë ka diskutime buxhetesh, e diskutime plot rëndësi e jetë për Vlorën, kthehet në një mejhane ulërimash e shfaqesh, për të dhën iden se brenda parlamentit vendor të qytetit “rrihen mendime e qahen halle”.
Nuk është thjesht se “Cirk pa bukë”, sa herë që është në plan të parë buxheti i qytetit, buxheti i të gjithë vlonjatëve.
Për vite, Vlorën e ka kapluar një mallkim teatral lidhur me punën e qeverisjes vendore, ku Këshilli i Bashkisë dhe Bashkia Vlorë, në një kakofoni të shëmtuar mes tyre, hedhin e presin letrat e buxhetit.
Paçavuret e tyre institucionale, mediokriteti që i karakterizon fund e krye, kanë dobësuar për vite shëndetin e politikbërjes në nivel vendor në Vlorë, si tregues i drejtpërdrejtë i neglizhencës, mospërfilljes dhe përbuzjes që politikanët vendor tregojnë për Vlorën e vlonjatët.
Vlora dhe vlonjatët nuk meritojnë fanellën e rreckosur socialiste, që për vite është kthyer ne flamurin e zhvatjes dhe e përbuzjes.
Në 14 maji, Këshilli dhe Bashkia ju kthehen Vlorës, ju kthehen vlonjatëve.
Boll më !
Fanella e e rreckosur socialiste i ka ditët e numëruara !
Vlora do ju kthehet vlonjatëve !

