Janar 2018. Bashkë me Simonin. Në shtëpinë e vëllait, Doktor Polikronit.
-Tu duk pak i zbetë? -Më pyeti vëllai, duke zbritur shkallët.
-…
Natën tjetër. Vetëm me Polikronin. Mbi tavolinë vuri një shishe me raki. Një pjatë me djathë. Ullinj. Një qepë. Bukë e thekur.
-Ftohtë. Pimë nga një gotë raki?…
E “thava” gotën e dytë. Duke më mbushur gotën e tretë, lëshoi një frazë rrufe:
-Jam me kancer!
Shtanga. Mu zu fryma. Mu errën sytë. Mos isha në ëndërr?
-Doktor Ertoni më bëri eko. “Dolloj diçka mes veshkave. -Më tha.-Por gjërat i saktëson skaneri”.
-Normale. Kur do ta bësh skanerin?
-Kurrë?
-Pse?
-Nuk ka “pse”, si romani i Sterjo Spases. Sa të kem kujtesë nuk shkoj vetë në spitalë. Kur te humbas vetëdijen, po ta lë ty amanet: Mos më shtro?!
-Po të isha unë me kancer, si do më këshilloje?
-Larg spitalit! Unë kamcerin e kam në bark. Mos vallë, i moshuar, të heq një veshkë të kalbur, e të vë një të re?! Marrëzi!
Nga ajo ditë, çdo natë me Simonin, shkonim në shtëpi. Unë shkoja nga ora 18-të. Simoni, duke qënë në punë, vinte më vonë.
Javën e dytë të shkurtit, Polikroni rrinte shtrirë. Kanceri po rritej. Kishte dhimbje të forta.
-Ta bejmë atë të shkretë skaner?-i thashë.
-Mos harro amanetin!
Mes shkurti. Në darkë Polikroni keqësohej. Por në mëngjes shkonte në klinikë.
-Duke vizituar fëmijët, harroj kancerin?!
Tentakulat e sëmundjes si duket depertonin në disa organe. Një natë më thotë:
-Me llogaritë e mia si mjek, nuk më kanë ngelë më shumë se tre javë jetë. Kam shkruar një letër me tre porosi:
1. Kur të varrosem nuk dua prift.
2. Pas varrimit nuk dua të më shtroni drekë.
3. Më varrosni me gruan, Bafturinë.
I lexova me sy të përlotur. Mu bë një komb në grykë.
-Nuk vlejnë lotët. Letrën po e mbyll. Kur të jap shpirt, duhet ta hapin dhe ta lexojnë Mirela me Enkelën. Vajzat. Mos u përlot! Tani e di mirë : Nuk kam frikë nga kanceri! E kam bërë lanet.
Nesër do shkoj në punë. Me presin kalamajtë…Ka virozë…
Vazhdoi punën edhe një javë. Vetëm dy javë qëndroi në shtrat…
11 Mars. Ora 10. Viti 2018.
Doktor Polikroni mbylli sytë. Gjithë ditën ecja si rrobot. Në darkë von u ktheva në shtëpi.
Ora 24. Nuk më zinte gjumi. Rrëmbeva kompjutrin. Nisa të shkruaj…
Vëllai u nda nga jeta. Të qaj? Nuk më sheh.Të lutem? Nuk më dëgjon. Të shpresoj se mund të rikthehet? Ai ishte i shënjtë, por jo Jezuesi.
Çfarë të bëj? Si mund ta mund trishtimin, dhimbjen, vetminë, mërzinë, atitminë, stresin, boshllëkun, ngashërimin…
Ku ta kërkoj ngushëllimin? Ta provoj me Biblën?…”Të mos trishtohemi që na iku. Të gëzohemi që e patëm.”…
Kur përfundova, ishte gdhirë. Për të “vrarë” dhimbjen, kisha shkruar esse-në, më të bukur të jetës sime.
U botua po thuaj në të gjitha gazetat dhe portalet…

