Kryeministri Edi Rama theksoi dje gjatë një konference për shtyp nga Kryeministria se nuk do të cenohet siguria e samitit të BE që do të mbledhë liderët europianë në Tiranë më 6 dhjetor.
“Nuk është shprehur asnjë shqetësim. Ne jemi të bindur se në fund të ditur mund të ketë shfaqje alla koncert në vitin 36 ku në vend të të ndjerit Albert Verria të jetë një tjetër i lënë nga mendja, por përtej kësaj nuk shohim asgjë më shumë se kaq. Janë marrë të gjitha masat dhe unë shpresoj që individët e tjerë nuk do të shkojnë me këmbët e tyre në atë qorr sokak ku ka pasoja ligjore shumë të qarta. Nuk kanë arsye ta bëjnë se mund të protestojnë këtu ku e kanë bërë zakon, e treta se nuk është çështje e qeverisë shqiptare. Kjo është çështje sigurie, nuk ka asnjë vlerësim që ka ndikuar në këtë. Për shkak të mënyrës se si funksionojnë këto evente, ka gjithmonë një sistem back up, mbështetës, për çdo gjë që mund të ndodhë. Mbledhja do të bëhet në këtë sallë ku unë po flas. Edhe dreka ka një back up tjetër. Si mund të bëhet këtu samiti me njerëz rrugëve. E pamundur. Mendoni si mund të shfrytëzohet nga të tjera forca që mund të infiltrojnë njerëz.
Halucinacionet e të marrit t’i lëmë në shenjtërinë e tij. Më mirë të mos merremi me të”, deklaroi ai.

