Kryeministri Edi Rama u shpreh mbas mbledhjes së qeverisë, se dita e martë, 6 dhjetor, nuk do të jetë pushim, ashtu siç ishte raportuar në media, për shkak të organizimit të Samitit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa për protestën që opozita ka thirrur në bulevard, përballë me godinën e Kryeministrisë, zonë që është brenda perimetrit të sigurisë, Rama tha se masat e sigurisë nuk negociohen me askënd.
Kreu i qeverisë u shpreh se masat e sigurisë vendosen nga organizatorët e samitit që ndodhen në KE dhe shoqërojnë liderat e BE-së kudo ku ata shkojnë.
“Nuk është marrë asnjë ditë pushimi, është lajm i rremë. Sa i përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Janë masa sigurie që vendosen nga vetë Komisioni, Këshilli Europian që vendos masa kudo ku ka evente.
Forcat tona punojnë me organizatorët e Samitit. Këto janë masa shumë të rrepta sigurie, aq më tepër në situatën ku këtu do të vijnë të gjithë liderat e BE. Dhe për ta ka masa ekstreme kudo ku lëvizin”, tha Rama

