Njoftimi:
Operacione të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
✅ Evidentohen dhe goditen brenda 24 orëve, në Lezhë dhe në Durrës, 4 raste të vendosjes së basteve sportive, nëpërmjet celularëve.
Vihen në pranga 4 shtetas dhe u sekuestrohen celularët, përmes të cilëve kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme.
✅ 2 të arrestuarve në Lezhë, në kuadër të operacionit “Ndërthurja”, iu gjetën në automjetin me të cilin qarkullonin, një sasi lënde narkotike kanabis.
Shërbimet e Policisë së Lezhës dhe Durrësit, kanë vijuar kontrollet në automjete dhe në ambiente të ndryshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre. Si rezultat, mbështetur edhe nga inteligjenca informative, u goditën gjatë 24 orëve, 4 raste të vënies së kundërligjshme të basteve sportive, nëpërmjet celularëve, 1 rast i posedimit të lëndëve narkotike, dhe u vunë në pranga shtetasit:
-O. K., 25 vjeç dhe J. D., 27 vjeç, të dy banues në Mirditë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të aparateve celulare të këtyre shtetasve, u gjetën faqe online aktive, për vënien e kundërligjshme të basteve sportive;
-A. P., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në lagjen Nr. 8, Durrës, duke vënë baste sportive, nëpërmjet celularit;
-S. M., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në lokalin që kishte në pronësi, duke vënë baste sportive, nëpërmjet celularit.
Për rastet e goditura, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

