Mbrëmë Kosova u trondit nga vrasja makabre që ndodhi në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gruaja shtatzënë e cila ishte shtruar në këtë Klinikë, Hamide Magashi, 35-vjeçare, dyshohet se u vra me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, me të cilin ishin në proces të ndarjes.
Mësohet se Magashi ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël, por që ju ndërpre jeta e saj dhe foshnjes.
Burri me të cilin ishte në proces divorci ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas iku në drejtim të panjohur.
Policia e ka shpallur në kërkim të dyshuarin dhe e ka konfirmuar rastin tragjik.
Gruaja që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së ishte nën trajtim të autoriteteve pasi në këtë rast ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje. Ajo në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje, ku personi për të cilin kishte raportuar ishte pikërisht ish-bashkëshorti i saj.

