Sot, dega e PD Vlorë ka prezantuar kandidatët e Primareve brenda subjektit të tyre politik.
Për bashkinë Vlorë, nga PD janë tre emra që garojnë dhe anëtarësia do përcaktojë se kush do ballafaqohet me të majtën në 14 maj 2023.
Në Primare janë ; znj. Alta Azizi Haluci, znj Nada Daullja dhe z. Hysni Sharra.
Në këtë prezantim kanë qenë të pranishëm deputetët Bujar Leskaj dhe Fatjon Veizaj.
Lajmin e bënë me dije deputeti Leskaj me një status në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Sot, në 26 nëntor 2022 së bashku me deputetin Fatjon Veizaj, kryetarin e PD Dega Vlorë Atird Hoxha, sekretarin e PD Vlorë Klodian Xhyheri dhe drejtues të PD Dega Vlorë, mora pjesë në prezantimin e kandidatëve të PD për Primaret për zgjedhjet vendore të vitit 2023, znj. Alta Azizi Haluci, znj Nada Daullja dhe z. Hysni Sharra.
Takimi u zhvillua në sallën e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në prani të një numri të madh anëtarësh të Partisë Demokratike, themeluesish, simpatizantësh dhe qytetarësh të paangazhuar, të rinjsh e të rejash.
Në 32 vite liri e demokraci, është hera e parë që një parti politike aplikohet procesi i Primareve, si një mekanizëm i jashtëzakonshëm i demokratizimit të brendshëm dhe model i mënyrës se si demokracitë bëhen të shëndetshme për shoqërinë e kombin.
Tre kandidatët paraqitën platformën e tyre qytetare e politike, vizionin dhe synimet për kthimin e Vlorës në një bashki, e cila duhet të drejtohet nga demokratët, për qytetarët vlonjatë.
Platformat e tyre, kanë në qendër qeverisjen me përkushtim dhe punën e palodhur për të ngritur standartet e shërbimeve për qytetarët dhe lehtësive për sipërmarrjet private dhe profesionistët e lirë!
Një model të ri qeverisjeje i cili mundëson çlirimin e energjive prodhuese dhe krijuese të qytetit bregdetar shqiptar! Një përkushtim për t’i kthyer qytetit dhe qytetarëve, dinjitetin që meritojnë! Platformat e tyre bashkoheshin në faktin që sot është një moment vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim! Vlora sot ka nevojë për alternativë, për shpresë, ka nevojë për vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve.
Pas prezantimit të kandidatëve qytetarë të pranishëm morën fjalën dhe u drejtuan pyetje, vlerësime e sugjerime kandidatëve të PD në Primare.



