Në seancën e gjatë të djeshme parlamenti ka miratuar Projektin e Portit të Durrësit.
Projekti i shumë debatuar mori 74 vota pro dhe 35 kundër.
Dje parlamenti u shndërrua në një arenë të “gladiatorëve” politikë përmbi 14 orë akuza, debate, replika, argumenta e kundërargumenta.
Opozita, jo vetëm dje, e ka konsideruar si një nga aferat më të mëdha këtë projekt, ndërsa qeveria, si një nga investimet më strategjike.
Simbas të dhënave zyrtare dhe shpjegimeve nga anëtarët e kabinetit qeveritar, ky projekt do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma në total. Faza e parë nis në 2023 e zgjat për 5 vite, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro dhe marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila qeveria ka 33.3% të dividentit.

