Në seancën e djeshme të parlamentit midis replikave e debateve të shumta, ka patur një shkëmbim frazash edhe midis demokratit Edmond Spaho dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një moment, Spaho i është drejtuar zv.kryeministres: Bela, mos firmos çdo gjë që të vë Rama para duke e patur fjalën për projektin e Portit të Durrësit.
Kjo e ka nervozuar Ballukun e cila i është drejtuar shkurtimisht si Mondi dhe ka reaguar ashpër lidhur me faktin që për të disatën herë, në kuvend përmendet gjyshi i saj.
Meqë më thirre Bela, po të them Mondi. I dashur Mondi, u bë hera e disatë që më përmend gjyshin. Qetësohu, merr frymë thellë.
Më dëgjo me vëmendje se ke hyrë në familjen time. Më ke hyrë në shtëpi. Nuk jam ngatërruar me familjen tënde, as me fëmijët e tu. Qetësohu se nuk të bën mirë, edhe ngjyra që merr është e rrezikshme. Bëhesh lejla dhe ke tension të lartë.
Unë të dashur opozitarë jam krenare për mbiemrin që mbaj sepse sot edhe kësaj dite njerëzit e respektojnë familjen time. Nuk më prekni fare tek kjo pjesë. Ka filluar edhe babai im të fitojë imunitet. Familja ime është ndër më të nderuarat në Tiranë e gëzon sot e kësaj dite respekt.

