Kryebashkiaku Bardh Spahia ndodhet në terren sëbashku me grupet e punës të bashkisë, por edhe institucione të tjera.
Me një status publik, ai u bën thirrje drejtuesve të KESH, që të njoftojnë në kohë për shkarkimet e pritshme nga digat e hidrocentraleve mbi Drin.
Ja shënimi i tij:
Po ndjek me vëmendje situatën që kanë krijuar reshjet e shumta në Bashkinë Shkodër.
Grupet tona të punës ndodhen në terren dhe kemi marrë masat për çdo rast që mund të paraqitet. Kërkoj bashkëpunimin e banorëve që në rast emergjence të kontaktojnë me strukturat e bashkisë për evakuim apo çdo nevojë tjetër që mund të paraqitet.
Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit parashikohen orë të vështira, prandaj i bëj thirrje drejtuesve të KESH të informojnë në kohë dhe mënyrë periodike mbi prurjet dhe shkarkimet që të mos gjendemi në situata të paparashikuara.



