Anija e kërkimit Ramform së bashku me dy rimorkiatorët shoqërues vazhdojnë të patrazuar kërkimet për naftë në hapësirat detare të kontestuara. Një shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare të sanksionuar në Konventën e Ligjit të Detit, UNCLOS 1982 neni 142. Ky nen përcakton ndër të tjera se shtetet duhet të kenë një sistem të informimit të njëri tjetrit. Kjo vlen dhe për rastin kur kufjtë janë të delimituar, pra të ndarë. Në rastin konkret anijet e kërkimit po zhvillojnë aktivitetin e tyre në një zonë e cila është e pandarë dhe mbi të cilën palët kanë pretendime. Në këto kushte, pala Greke në asnjë rast nuk duhej të fillonte aktivitetin e kërkimit. Të paktën duhej të kishte një dakortësi ndërmjet palëve, pasi depozitat shtrihen dhe janë vazhdimësi e burimeve që vijnë nga bregu Shqiptar. Kjo situatë meritonte një reagim të menjëhershëm nga ana e MPJ të RSH.
Komunikata e MPJ për media e datës 17 Nëntor, nuk sqaronte në asnjë rresht të sajin nëse ka apo nuk ka dakortësim apo komunikim me palën greke, dhe ndonjë marëveshje për lejimin e një aktiviteti të tillë në një zonë të kontestuar. Akoma më tej, kjo komunikatë deklaronte se nuk ka asnjë aktivitet të tillë që ka shkelur sovranitetin apo të drejtën e Shqipërisë, duke avokatuar në mënyrë të padrejtë palën greke, për faktin se anija Ramform po ushtron aktivitet në një zonë e cila është subjekt i ndarjes (shih foton më poshtë)! Në këtë moment deri në ndarjen e zonës asnjë palë nuk ka të drejta legjitime në këtë zonë.
Akoma nuk është vonë për një reagim në përputhje me parimet e konventës dhe të drejtën e RSH për të qartësuar pretendimet e saj në zonën në fjalë, ndaj dhe duhet një reagim si dhe paraqitja e rezervave për një aktivitet të tillë pranë zyrave përkatëse të UN. Çdo qëndrim pasiv, në heshtje, nuk bën tjetër veçse shuan çdo pretendim të RSH në zonat e pretenduara, dhe natyrisht çdo gjykatë nuk mund të japë asgje nëse pretendimet tona do të jenë zero!
O. M 19.11.2022


