Deputetja Monika Kryemadhi deklaroi ditën e sotme se SPAK duhet të marrë veprime të tjera për çështjen e inceneratorëve. Për gazetarët, jashtë seancës plenare, Kryemadhi u shpreh se SPAK duhet të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës.
“Skema e inceneratorëve është një ndër aferat më të mëdha në buxhetin e shtetit. Është e vetmja çështje që për herë të parë kemi firmën e një kryeministri dhe disa zyrtarëve të tjerë. Pra fakton grabitjen e parave të buxhetit të shtetit. Nuk mendoj se çështja është te urdhër arrestet e SPAK, ajo që duhet të arrihet është bllokimi dhe sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës. Ato paratë janë të taksa paguesve shqiptar. Janë para që shkojnë në xhepin e koncesionarit që mund t’i shkonin dhe bashkisë”, tha Kryemadhi për ‘Reporttv’.
Deklarata e saj vjen pas aksionit të djeshëm të SPAK, ku u lëshuan 11 urdhër arrestet ndërsa në pranga përfunduan 5 persona. SPAK ka shpallur në kërkim 6 persona, 5 prej të cilëve dyshohet se janë jashtë vendit.

