Takimi i dy krerëve të institucioneve të rëndësishme është zhvilluar sot në Prokurorinë e Përgjithshme, Olsi Çela, kreu i këtij institucioni ka pritur Muhamet Rrumbullakun, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Njoftimi i plotë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe strukturave të Policisë së Shtetit, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të hetimit.
Nga të dy drejtuesit e institucioneve, u vlerësua pozitivisht niveli i deritanishëm i ndërveprimit institucional, në fazën hetimore, si dhe u theksua rëndësia e hapave konkretë që duhet të ndërmerren për rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të hetimit.
Në këtë kuadër, do të maksimizohen mundësitë për bashkërendimin e masave që do të rritin efikasitetin e hetimeve për një sërë veprash penale.
Gjatë takimit u ra dakord për rëndësinë e harmonizimit të prioriteteve në funksion të miradministrimit dhe përdorimit efikas të burimeve njerëzore dhe atyre teknike, duke synuar rritjen e forcës goditëse të organeve ligjzbatuese, ndaj fenomeneve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

