Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka thënë në Kuvend se fokusi i buxhetit 2023 është përballimi i inflacionit të luftës dhe forcimi i mbrojtjes së sistemeve tona dixhitale nga sulmet kibernetike.
“Për të adresuar efektet e inflacionit të luftës, por edhe për të trajtuar më mirë financiarisht punën e Policisë së Shtetit, në këtë buxhet kemi një nga rritjet më të larta të pagave. Plot 15% rritje për rreth 74% të trupës së Policisë së Shtetit, ku përfshihen punonjësit e nivelit bazë me gradat Inspektor, Inpsketor i nivelit të parë, Inspektor i nivelit të dytë. Ndërsa për gradat Komisar e Nënkomisar, ku janë rreth 20% e trupës të punonjësve me grada, rritja e pagave do të jetë në nivelin 7%”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Nëse në vitin 2022 investimet në fushën e teknologjisë në Policinë e Shtetit, me fonde të brendshme, kanë qenë 72 milionë lekë, në vitin 2023 ne kemi parashikuar të investojmë plot 547 milionë lekë, tha Çuçi.

