Të nderuar Zonja e Zotërinj ekspertë të Komitetit Teknik!
Tashmë COVID-19 është një realitet i zi, që ka shkelur pothuaj në çdo familje shqiptare, ku me dhimbje, ku me tragjedi .
Në vendin tonë janë prekur zyrtarisht 22,721 njerëz, prej të cilëve janë shëruar 11,696 dhe kanë vdekur 543 të tjerë.
Këta shifra fatkeqësisht nesër, por sidomos në ditët e dimrit që po nis do të jenë më të larta…
Unë si mjek i vijës së parë kam një lutje ndaj Jush, dhe këtë po e shkruaj me përulje nga bordi i një ambulance , në pritje, para njërit prej spitaleve Covid të Tiranës për të hospitalizuar një të sëmurë me parametra kritikë për jetën, i cili nga çasti në çast mund të më ikë nga duart.
Në urgjencën e spitalit nuk ka vend as për një barrelë ejo shtrat të lirë, ndërsa dhomat e pavioneve janë të mbipopulluara!
Unë me infermierin po i kalojmë orët acarta të natës duke ndërruar bombolat e oksigjenit, në mënyrë që të sëmurin të mos na e marrë vdekja, e cila e ka mbështjellë me duart e saj të zeza dhe po na e mbyt para syve.
Në oborrin e spitalit ka plot ambulanca të tjera , nga Tirana dhe nga rrethet, me të sëmurë rëndë. Kolegët e mij në këto ambulanca presin me shpresë se mos del dikush i shëruar ose i vdekur për të hospitalizuar pacientët që mbajnë në bord !
Pandemia e COVID-19 gjunjëzoi vende të pasura e me spitale moderne, e jo më një vend të varfër e me spitale të rrënuara e me mungesa në mjete e në stafe si Shqipëria, por unë nuk dua të diskutoj këtë me ju .
Lutja ime para 7 muajsh për ministren, që të hapte spitalet rajonale shkoi në vesh të shurdhër, e unë në fakt nuk prisja të më përfillte ministrja e shëndetësisë, pasi qasjen e saj ndaj mjekëve e kam kuptuar prej kohësh !
Ajo nuk është si ne, ajo është një zyrtare partie, ajo është aty për propagandë!
Ju jeni si ne ! Ju jeni mjekë !
Ju e dini më mirë se sa unë, që COVID-19 është virus respirator dhe shkakton infeksion pulmonar.Infeksioni pulmonar shkakton ARDS. Në ARDS i sëmuri është i pamundur të marrë frymë vetë, dhe duhet doemos të trajtohet vetëm në njësitë e kujdesit intensiv me frymëmarrje të drejtuar,në kohën e përshtatshme, dhe jo pasi i kanë mbaruar pulmonet.
Siç e dimë mirë, në Shqipëri (por jo vetëm) kemi fare pak mjekë e infermierë reanimatorë për të trajtuar një fluks të rritur të pacientëve, si në ditët e sotme.
Prandaj, nevoja urgjente kalon tek personeli mjekësor shtesë që ka specializim apo trajnim. Ju e dini mirë, që nuk është vetëm Shqipëria por mbarë bota që ka nevojë për reanimatorë sot !
Shqipëria sot ka nevojë për mjekë të kualifikuar të kujdesit intensiv , dhe është e pafalshme që kemi mbetur përsëri me duart nga qielli (t’i lutemi Zotit).
Natyrisht, është e pamundur të kualifikohemi të gjithë për të qenë mjekë reanimatorë, sidomos në një kohë kaq të shkurtër, por një kurs trajnimi disa javë, për të qenë të aftë për kujdes intensiv në këtë kohë duhej të kishte filluar që nëmuajin mars!
Cdo hotel mund të kthehet në spital nqs ka specialistë, të cilët ky shtet i ka detyruar të marrin rrugët e botës, por çdo spital është thjeshtë një ngrehinë pa to !
Zotërinj komitetas, Zonja ministre, spitalet rajonale duhet të kthehen në qendra trajtimi për të sëmurët me COVID-19! Të sëmurët po vdesin pa marrë trajtim mjekësor, dhe kjo është kriminale!
Ju lutem, braktiseni propagandën e qeverisë në këto momente të rënda për vendin, përqafoni interesin e pacientëve për të cilin jeni betuar si mjekë!
Ne duhet të shpëtojmë më shumë jetë shqiptarësh. Asnjë jetë nuk meriton të shuhet rrugëve, pa kujdes mjekësor!
Me shpresë se do veproni, Ilir Allkja, mjek!

