Ndihesha në paqe
me veten,
jetoja në godinën
me emrin “ëndrra të realizuara”,
në refrene këngësh kërkoja pasionin e poezia,
me gjymtyrë dashurie.
Mjaftoi një çast, një çast i vetëm
sa drita e një vetëtime,
për të shkrepur një shkëndijë
që dogji iluzionet e mia
si kashtën e grurit pas korrjes,
kur njoha atë…
Ne nuk e dimë se flemë
mbi një krevat lakmie
një gjumë vullkanik të pafjetur.
Do të digjja kufomat e poezisë
derisa në oxhak
të dilte tym i bardhë.
Skeletet e këngëve
në pentagramet e vjetëruara,
si pergamenët egjiptiane,
do t’i mbyllja në morg
së bashku me ca vargje xanxare
të arratisura fletëve të humbura.
Kështu përhumbja klithmës eunuke të vdekjes,
në netët e vuajtura.
Sa dashuri kanë vdekur pa u puthur dhe sa puthje,
janë “dhuruar” pa u dashur?!
K.F.
Chicago 09/28/2022

