Ditët e para të ktij muaji gjithnji shkojnë për njerzit e dashtun që nuk janë ma me ne në ktë jetë fizikisht!
Në fakt, unë nuk shkruaj për ndjesi e përjetime të kësoditshme sepse nuk mundem me i veçue kujtimet e as mendimet me data të përcaktueme, por m’bani me u ndal, si rrallë herë, Anglia! Furia e sulmit kundër shqiptarve që mbërrijnë atje, etiketimet e akuzat e gjithfarshme, pa u ndal thuajse asnjëherë mbi shkaqet reale që i detyron shqiptarët me kalue nëpër ferr tue tentue atë dreq parajse që veç jep pak siguri!
Me ca qirinj në duar dhe vazo me lule, mrritëm herët në varrezat tona!
Po aq herët ishin çue edhe bashkëfshatarët miq e dashamirë!
U takuem aty! U përshëndetëm si na e do malli i zakonshëm e zakoni i përmallshëm! Mas përqafimeve të papeta, dhe kvetjes; si je? vinin tri pyetjet e tjera thuajse të ngjashme e të pashmangshme; si i ke ata robë?; a kie fol me ta? e, a gjetët gjà në ktë vjeshtë!
Pergjigjet prapë ishin të njajta, ban bè e kanë ba me fjalë: Mana veç në telefon po flasim, mirë na thonë! E kur i pyet ku janë, prapë dihet përgjigja; jashtë shteti!
Ndezëm qirinjtë! Pllakosi heshtja! Në dukje secili ishte te ‘varri i vet’, po në fakt të gjithë ishna të perziem te njani-tjetri, në të njajtën vorbull mungesash e vetmimi që s’ka t‘naluem! Atëherë u ktheva edhe i herë kah të gjallët, i kqyra e në hetim e sipër, si me dashtë me pshtue vedin, pashë se sa pak kishim mbetë! Ma shumë mu dukën makina në oborrin e Kishës, se sa njerëz, edhe ata të përgjysmuem prej moshe e shtati! Pak kishte mbetë n’ta nga ç’kishin kanë dikur e para 10 vjetëve!
Ndërsa qirinjtë digjeshin në sytë tonë, prapë iu kthyem shoshojtë, na që ishna aty, tue kryqëzu fjalë, emërtime shtetesh e psherëtima: Greqi, Itali, Gjermani, Francë e Angli, thu vedi se janë bash përtej Gomine, lumi që tash refuzon me kanë as prrue… Shumica qajnë pamundësine me pas në duar e sy rritjen e nipave e të mesave, dikush, pamunsinë me lanë nanën ose babën, ose të dy e me iu bashkëngjit vllaut, motrës, kushinit e shoqit sidomos në Anglinë e lirueme nga çmimi e mendsia! Unë sapo dgjoj emnin Angli, duket sikur më tradëton ftyra në ato mendime që m’i zbras flaka që veç dritëzon e qirinjece: po kta e dinë ç’a mendon Anglia për djemtë tonë, ç’a shpik, ç’a trillon? Po kta a e dinë se shqiptarët në Angli trajtohen edhe ma keq, ma padinjitetshëm e mizorisht se në Shqipni? Se ne na kane kthye në shenjë denigruese teksa e dinë se na po ikim veç se me iu shmange mtij denigrimi që ndodh për hir të babëzisë së pafre të pushtuesve dhe uzurpuesve të ktij vendi?!
Manej, tu dashtë me i shpëtue shpullës së përditshme të Anglisë, tentoi të nis ikjen! Nuk due ma me ndejt mes asaj zbrazëtie të mbitokshme për me u ndie mirë me plotinë e nantokës! Në dalje nji shoq tjetër, djalë i ri, i paktë në katun, i cili na e mbyll si me dry atë përballje dy botëshe: Vjeshta qe e mbarë boll për ne, po na s’jena të zotët me e hangër krejt mallin që na ka fal i madh Zot! Jam veç me nanën në shpi!
Deshta me ik me vrap, mos me takue kand tjeteë, teksa dgjoja të tjera zhurma makinash që i afroheshin Kishës! -Neser-na thanë-kishte Meshë! Kishte me shkue prifti! E unë tue ik, ma shumë me mend se me kamë, tue vra mendjen se ata njerëz që kishin ardhë sod me ndez qirinj a kishin me mujt me shkue nesër në Meshë, e pava vedin te prroni jem, ai magjiku, i pakërkund shoq! Si të thuash, as prroni i Martin Camajt s’ma mund dot në gurgullimë, finesë e kreni! Gjithmonë kam dashte me u hangër me Camajn për prrue, gur e shkamb, tu e kërkue me m’dal në majën e Cukalit me kundrue!
Po ai i muer me vedi në dhena të tjera, kurse unë i kam lanë aty! Kam frikë me i çue kund tjetër! Barbarët tash janë kudo; Martini qe i mençëm, gjeti vendin që ia rujten…
…Aty dashta me u harrue një copë herë! Me iu thirr ndjesive që më duheshin për atë ditë, më lanë me pushue pikërisht në vendin e tyne! Po klithmat e ikjes, përzanies, harrimit kishin zanë vend mas çdo dege të thatë e të njomë!
Të dyja ndejshin bashkë si me m’thanë: na po bajmë çka duhej me ba ju!


