Kryeministri Edi Rama ndodhet në Voskopojë dhe më parë ka postuar në “Facebook” një foto ( e ballinës te ky shkrim), që mesa duket ka patur reagime negative.
Pikërisht për këtë, ai ka reaguar me një status të gjatë shpjegues.
Postimi i plotë:
Sapo postova foton e mëparshme nga Voskopoja, nën efektin energjizues të transformimit mbresëlënës që vazhdon papushim në këtë zonë qyshse nisëm programin e Rilindjes Urbane, më zunë sytë mes të tjerash disa komente tipike prej një kategorie njerëzish që kam vënë re se mërziten shumë nga çdo gjë e bukur, çdo punë e mirë, çdo ndryshim pozitiv në këtë vend.
“Po kush do t’i mirëmbajë se kanë ikur të gjithë?”, thoshte një, a thua se ata që e kanë kthyer Voskopojën në një spektakël investimesh në shtëpitë e vjetra janë alienë, fantazma apo të marrë që i hedhin lekët në tym! Jo vetëm që s’kanë ikur të gjithë, po këtu gjen plot të kthyer apo edhe të ardhur nga Tirana, për të investuar kursimet e tyre në bujtina, të cilat sjellin të ardhura shumë më të mira se sa një punë e zakonshme në emigracion.
Mjafton të shikosh se si po rritet numri i turistëve çdo vit në Shqipëri, po edhe në Voskopojë, për ta kuptuar pse këta njerëz po investojnë tek e ardhmja, po edhe për të parë se si programi i Rilindjes Urbane nuk ishte “dava fasadash”, po një program i mirëfilltë nxitjeje ekonomike, për komunitete e familje që lëngonin në gropat e harresës totale.




