Ndërsa greva e pedagogëve po vazhdon, kryeministri Edi Rama ka realizuar një takim me rektorët e universitete publike dhe private.
Në fjalën e tij ai deklaroi se duhet të bëhet një vlerësim i thelle ligjor i të gjithë universiteteve.
Rama tha se në universitetet private nuk deklarohen pagat e plota dhe se nuk mund të pranohet që të ketë pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason.
Kryeministri mbërriti deri atje sa u shpreh, se në rastet që ka mospërputhje midis pagës së deklaruar dhe pagës së marrë duhet të korrigjohet se procesi do të shkojë deri në kontrollin e pasurisë.
Midis rektorëve që morën fjalën, la përshtypje debati i kryeministrit me rektorin e Universitetit “Polis” Besnik Aliaj.
“Për pagat ka dhe një element. Ne jemi të detyruar që të bëjmë rivlerësim ligjor të thellë të gjithë universiteve. Për shkak të një page që është ende jo e kënaqshme në universitetin publik, shkojnë në universitete private, aty tjetër deklarohet dhe tjetër marrin. Ky është fakt. Nuk mund ta pranojmë që të kemi pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason. Në rast se ka mospërputhje midis pagës së deklaruar dhe pagës së marrë duhet ta korrigjojnë se procesi do të shkojë në kontrollin e pasurisë. Po të shohim dypunësimin me universitete private, një pjesë e të cilit është ca në bardhë dhe ca në të zezë jemi në tjetër realitet”, u shpreh Rama.

