Parantezë: Adolf Hitleri do t’i dhuronte Mbretit shqiptar Zogu i I-rë, me rastin e dasmës një Benz të modelit 540k.
Autovetura (foto e ballinës së shkrimit) për Mbretin Zog, mbërriti në Tiranë më 19 prill 1938.
Makina e parë e Karl Benz
Makina me tre rrota jo shumë e njohur dhe as plotësisht efektive e Benz-it, ndoshta do të kishte mbetur në harresë, nëse Karli, krijuesi i trerrotëshit nuk do të kishte Bertën, bashkëshorten e tij vepruese dhe gjithë kurajo.
Po, dy femra janë fjongua e llamburitëse e kësaj marke, Berta dhe Mercedesi, por le të ndalim te e para.
Me intuitën femërore, Berta ndihmoi për të tërhequr vëmendjen dhe blerësit potencial për atë çfarë kishte krijuar burri i saj i talentuar.
Një mëngjes vere të vitit 1888, Berta (pa dijeninë e të shoqit), duke marrë dy djemtë e saj, shkoi me këtë triçikletë te prindërit nga Mannheim në Pfarzheim, që ishte afro 90 km.
Rrugës, zonja (Frau) Benz, ndalte dhe mbushte mikro-makinën me benzinë, e shitur në ato vite vetëm në farmaci, si ilaç për sëmundjet e lëkurës.
Pas udhëtimit të saj triumfues, i cili u shoqërua me ndalesa dhe histori të shumta për shpikjen e çuditshme dhe praktike të Karlit, e gjithë Gjermania mësoi për këtë makinë dhe biznesi i kompanisë Benz shkoi në Zenith.
Më vonë u bënë përmirësime teknike të avancuara, si sistemi i transmensionit dhe i ndriçimit, ky i fundit krijoi mundësinë për lëvizje gjatë natës.
Paralelisht Gjermania kishte një tjetër mendje plot ide në këtë fushë, bëhet fjalë për Wilhelm Maybach, personi që kishte ngjizur tashmë një tjetër mjet me motorr….
Historia e markës Mercedes
Në vitin 1901, projektuesi i Daimler-Motoren-Gesellschaft, Wilhelm Maybach, arriti të krijojë një model të suksesshëm të makinës, i cili tërhoqi veçanërisht konsullin austriak në Nicë, por edhe kreun e zyrës përfaqësuese franceze të kompanisë, Emil Jellinek. .
Jellinek ishte jo vetëm i apasionuar deri në marrëzi pas makinave, por edhe shofer profesionist.
Mbi të gjitha E.Jellinek ishte një njeri shumë praktik.
Aiu angazhua personalisht në shpërndarjen dhe prezantimin e një zhvillimi të ri, si dhe kontribuoi në popullarizimin e këtij novacioni.
Si i tillë, ai e bindi Gottlieb Daimler për të ndryshuar emrin e modelit dhe për ta pagëzuar me emrin e vajzës së tij më të vogël- Mercedes, që do të thotë “i mëshirshëm”.
Emri tingëlloi fort për herë të parë në vitin 1926 me Daimler-Benz, por origjina fillon nga makina Mercedes e Daimler-Motoren-Gesellschaft e vitit 1901 dhe të makinës së Karl Benz e vitit 1886 Benz Patent Motorwagen, e cila njihet si automobili i parë i prodhuar.
Sllogani i Mercedes-Benz është “Das Beste oder nichts” (Shqip: “Më të mirën ose asgjë”). Mercedes-Benz është pjesë e prodhuesve luksozë “German Big 3”, bashkë me Audi dhe BMW.
Mercedes-Benz i gjen origjinat e saj tek krijmi i Karl Benz, makina e parë me benzinë, Benz Patent Motorwagen, e patentuar në janar 1886 dhe Gottlieb Daimler dhe tek inxhinieri Wilhelm Maybach, i cili konvertoi një karrocë duke i shtuar një motorr me benzinë. Makina e parë Mercedes u tregëtua për herë të parë në vitin 1901 nga Daimler-Motoren-Gesellschaft. Makinat e para Mercedes-Benz u prodhuan në vitin 1926, me shkrirjen e kompanive të Karl Benz dhe Gottlieb Daimler dhe krijuan kështu më të rëndësishmen kompani për prodhimin e automjeteve Daimler-Benz.
Një iniciativë shembullore që ka ruajtur shkëlqimin dhe prestigjin e saj pavarësisht dekadave.
Përgjatë viteve 1930-të Mercedes-Benz prodhoi modelin 770, një makinë shumë popullore gjatë periudhës së Gjermanisë Naziste.
Adolf Hitleri njihet se një personazh historik që i pëlqente fort makina të tilla dhe gjatë kohës së tij në pushtet, udhëtonte në një makinë me xhama antiplumb.
Shumë prej modeleve të mbijetuara i janë shitur me ankand blerësve privatë dhe koleksionistëve të apasionuar mbas kësaj marke.
Njëra prej tyre është e ekspozuar në muzeun e luftës në Kanada, në Ottawa, Ontario.
Mercedes-Benz ka shpikur shumë inovacione teknike dhe sigurie të cilat më vonë u bënë të zakonshme në markat e tjera.
Mercedes-Benz është një nga markat më të mirënjohura të makinave dhe është marka më e vjetër e makinave në botë.
Ikona e famëshme: Ylli me tre cepa
Ky simbol është trashëguar nga Daimler-Motoren-Gesellschaft e Gottlieb Daimler dhe Wilhelm Maybach. Në vitet 1870 Gottlieb Daimler, kur punonte tek Deutz AG Gasmotorenfabrik, i dërgoi gruas së tij Emma Kunz një kartolinë duke treguar banesën e tij me një yll me tre cepa dhe duke shkruar: “Një ditë ky yll do të ndriçojë mbi fabrikat tona triumfuese”. Të inspiruar nga kjo, që prej asaj kohe Daimler dhe Maybach kanë ndërtuar motorra të lehtë për tokë, ujë dhe ajër (tre cepat).
Ylli me tre cepa u pa për herë të parë në vitin 1910. Në vitin 1916 ylli rrethohej nga një rreth me katër yje të tjera shtesë, ose me emrin Mercedes ose me emrin e fabrikës (Untertürkheim ose Berlin-Marienfelde). Ndërsa simboli që shohim sot, u regjistrua për herë të parë në vitin 1937 me bashkimin e Daimler-Benz, një yll tredimensional me tre cepa brenda një rrethi.





