Ka reaguar sekretari i PD-së, Flamur Noka, lidhur me rënien e sistemit TIMS nga sulmi i përsëritur kibernetik.
Përgjegjësia shkon lart, te Rama, shkruan ish ministri i brendshëm.
Ja postimi i plotë:
Sulmi kibernetik i sotëm mbi sistemin TIMS, i dyti brenda pak ditësh, është tregues i frikshëm i pasigurisë kibernetike në Shqipëri.
Hacker-imi i sistemit TIMS është cënim i sigurisë kufitare e për rrjedhim cënim i sigurisë kombëtare.
Aty rrezikohen jo vetëm privatësia e shtetasve shqiptarë që hyjnë e dalin në Shqipëri por edhe e të huajve që vizitojnë vendin tonë.
Dëmi është kolosal, pasi sistemi TIMS futet dhe konsultohet me disa databaza të tjera të rëndësishme të policisë, siç janë personat në kërkim apo regjistri informatik i të huajve.
Pra, sistemi TIMS, përveçse gjeneron të dhëna, grumbullon të dhëna edhe nga databaza të tjera, dhe hyrja e paautorizuar kërcënon të dhëna të shumta të databazave të tjera të policisë.
Shqiptarët duhet të dinë se janë paguar 195 milionë euro nga nga taksat e tyre për sigurinë kibernetike.
Ku shkuan këto para?
Përse siguria kibernetike është zero? Përse siguria kombëtare po shkon drejt rrënimit? A mos u bënë rrush e kumbulla nga qeveritarët, si të gjitha paratë e shqiptarëve? Përse qeveria është dorëzuar përballë çdo hacker-imi?
Përgjegjësia shkon lart, te kryeministri.


