Presidenti i Republikës iu është drejtuar me një letër deputetëve shqiptarë në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Begaj shkruan në letër se politika shqiptare duhet të gjejë gjuhën e dialogut për çështje të rëndësishem që kanë të bëjnë me integrimin e vendit tonë në BE si dhe luftën ndaj korrupsionit.
Nga letra e Presidentit të Republikës:
“Të nderuar Zonja dhe zotërinj deputetë!
Nisja e sesionit të ri të punimeve të Kuvendit, më krijon mundësinë, t’ju drejtohem të gjithë ju deputetëve, për t’ju uruar punë të mbarë, angazhim të frytshëm dhe maksimal në përmbushje të të gjitha detyrave dhe përgjegjësive tuaja të larta, si përfaqësues të vullnetit politik të popullit shqiptar.
Për mua si President i Republikës, bashkëpunimi me Kuvendin është jo vetëm përgjegjësi e përmbushjes së detyrës kushtetuese, por më shumë se kaq është shprehje e bindjes dhe e besimit se bashkërisht mund të shpalosim një dimension tjetër qasjeje dhe sjelljeje politike, në përputhje me atë që pret shoqëria shqiptare nga klasa politike dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur prej saj.
Marrja e vendimit të çeljes së
negociatava me Bashkimin Europian, domosdoshmërisht imponon për të gjithë ne, reflektim dhe më shumë përgjegjshmëri, seriozitet dhe më shumë përkushtim. Na duhet të jemi po aq europianë për nga vizioni dhe standardet e sjelljes politike, e cila të reflektojë pikërisht këtë realitet të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare, sepse vendi nuk mund të paguajë koston e mungesës së tyre. Të gjithë ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të ofrojmë bashkëpunim konstruktiv dhe dialog të qëndrueshëm. Historia na ka treguar se kur reformat janë konsensuale, ndikimi pozitiv është i drejtpërdrejtë në integrimin e vendit, në ekonomi, në demokratizimin e institucioneve dhe në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të jetesës së qytetarëve. Fryma e bashkëpunimit, vendosmëria dhe kohezioni, janë thelbësore për të qenë gjithmonë prezent në punën tonë, si mbrojtës të interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Reformat e mëdha dhe jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, të inicuara me vullnetin e të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, kanë nevojë që të mbështeten edhe më shumë nga të gjithë ne, ndaj sfida e radhës do të jetë përafrimi i legjislacionit tonë sipas standardeve europiane, që të mund të jemi pararendës të përmbushjes së aspiratës kombëtare për Shqipërinë Europiane.”
Më tej letra e Presidentit vazhdon duke ju drejtuar deputetëve për më shumë konsensus e mirëkuptim, pavarësisht kundërshtive politike.

