Poeti shqiptaro-amerikan jep mbresat nga plazhi në Shqipëri.
DHËRMI apo KARAIBE…
Ditët në Atdhe mbaruan pa filluar dhe ekstrakti që ngeli i ngjan një xheli të ëmbël kujtimesh, që i ngjiten çdo çasti të mëpastajme.
Kur kërkon të ngopesh me mall nuk është e thënë se do e arrish.
Të afërmit, miqtë, shokët dhe eventet nuk ja dolën që ta plotësonin mallin në sasi dhe ngjyrë.
Midis të tjerave, disa ditë pushime në Dhermi ishin të paharrueshme.
Sa herë shikoja detin thoja me vete është Joni apo Karaibet?
Uji i smeraldë më qetësonte neuronet e paqetësuara nga asgjë tjetër.
Kafja e atij hotelit trekatësh pranë detit, servirur miqësisht nga kamerierët, nuk të bente të ikje në det.
Më pas shezlongu i rreshtit të parë më niste shpejt tek një verandë e vogël, ku do pija nje birrë apo diçka tjetër.
Dy vëllezër vlonjatë aty më dhanë të kuptoja se pak njohim të tillë.
Ata edhe më qerasnin dhe po kështu dhe unë miq të tyre si p.sh një italian që ishte me familjen aty.
Një drekë ngela i befasuar, kur bashkshortja e tij na dhuroi bashkë me një birrë edhe nga një pjatë makarona bolonjeze të gatuara nga ajo për familjen e saj.
Turpi fitoj mbi dëshirën time, kur ofroi ta rimbushte pjatën, sepse ishin aq shumë të shijshme dhe unë nuk pranoja dot përsëri.
U ndava me ata dy vëllezërit vlonjatë me idenë time se do shkoja përsëri verën që vjen dhe do e gjeja më të mirë se “Samoa” e Palasës lokalin e tyre që do ndërtonin.
Nuk harrova të beja turin e detit me gomone nga Dhërmiu deri te “ Shpella e piratëve ”.
Ishim gjashtë turistë, ku rastësisht një çift nga Londra dhe dy studentë në Itali.
Dy djem nga 20 vjeç drejtonin gomonen.
Njëri prej tyre ishte nga ata tipa që ëndërronte ta bënte për një orë kapjen e bregut “matanë ”, duke nxjerrë vlerat e gomones.
Po kisha dëshirë ta zhbirroja se ishte nga ata që kanë pak shkolle e i besojnë asaj të jetës.
Diku, sa arritem tek “Shpella e pëllumbave” na afrohet një mjet i policise detare. Ndaluam dhe një person civil me nje zë të trashur artificialisht u kërkoi djemve licencën e gomones.
Pozicioni që mori ky tipi në mjetin e shtetit ishte një fotokopje e keqe e marshallit buçko qimeverdhë, kur ndaloi Skuarçon, peshkatarin që gjuante me dinamit me varkën në të cilën kishte dhe dy djemtë Toninon dhe Borjan, në filmin aq të bukur “Rrugë të kaltra”, ku ne rolin e Skuarços shkëlqen një aktor i famshëm dhe këngëtar si Iv Montanj.
Aty më erdhi në mendje mendimi se a mund të jenë të sigurta jetët tona në këtë tur detar të shkurtër?
A nuk duhet të jenë edhe këta si taksistët në rrugë me licencë shteti ?
Duke bërë “pazarin” zonja nga Londra, një grua e shkathët dhe energjike, sepse e zgjatëm “rrugën ” deri në Himarë, i them djemve që mos kërkoni shumë se një gomone është e jo jaht !!
Djaloshi, që ishte si “kapo intendenti i arkës ”, me thotë me deklamim se me atë gomone kishte shëtitur një nga ato të showbizit, një “dubaiste”, e përfolur kohët e fundit me një DJ të huaj dhe ishte fat për ne kjo gjë.
-Pse jo fat për atë, që udhetoi me gomonen tonë e pyes.
-Xhaxhi, ti dukesh që nuk ke pasur asnjë dashnore në jetë, kurse ajo i ndrron sheikët me radhë m’u përgjigj.
Kemi qeshur aq shumë dhe vazhdova ta ngacmoj akoma unë dhe të tjerët që ishin në gomone dhe veçanërisht ato dy vajzat studente.
Po kush njeh tipa të tillë e kupton që nuk i mund dot, sepse deti është një lloj shkolle që të bën Xhon Silver pa atë kapelen në formë trekëndëshi në koken e tij edhe pa qenë i tillë, nëse ke qoftë ca inteligjencë të lindur dhe tjetra se ata nuk dëgjojnë çfarë u thua, po qëndrojnë tek metafizika e mendimit të tyre sipërfaqësor.
U ndamë mes të qeshurash dhe kënaqësisë që morëm nga ajo xhiro detare.
I premtova se nuk do e ndrroj këtë gomone vitin tjetër.
Dhermiu është një plazh me një pozicion ku mundesh të vizitosh edhe plazhet e tjerë, madje edhe të shkosh të drekosh në Llogara nëse nuk do tia kursesh vetes këtë kënaqësi.
Ditet atje mbaruan dhe ndjesia se si ikën aq shpejt më ndjek edhe tani pa marrë një përgjigje nga unë …
Chicago, shtator 2022




