Mjekësia ka shkuar” paguaj ose vdis!”
“Kur nuk ke çfarë t’i bësh gomarit e i bije samarit”!
Kjo ndodhi sot në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Kur nuk ke çfarë t’u bësh atyre, që kanë implementuar PPP shkatërruese në shëndetësi, në këtë rast atë të laboratorëve, u “turresh” specializantëve.
Drejtues të asaj Qendre u bëjnë presion specializantëve sepse po “kërkojnë ” shumë analiza për të sëmurët.
Qesharake dhe cinike kjo sepse:
1-Analizat për të sëmurët aty nuk i kërkojnë specializantët, por mjekët kurues.
Specializantët mund të kryejnë aktin formal, gjë që janë të detyruar ta realizojnë.
2-Analizat, që kërkohen nga mjekët bazohen në shumicën dërmuese në protokollet e mjekimit e të ndjekjes së të sëmurëve.
Edhe në rastet kur dilet jashtë protokolleve, kjo ndodh sepse mjekët kurues (jo specializantët), e gjykojnë të nevojshme këtë për mjekimin e pacientit.
Të bësh presion që në radhë të parë të mos zbatohen protokollet e mjekimit, por dhe të pengohet mjeku për më tej, është vepër që dëmton shëndetin e pacientit e antiligjore.
Ose së paku dëmton xhepat e qytetarëve, që janë të detyruar t’u drejtohen privatëve.
Por ka dhe më shumë, kërkohet që mjekëve t’u ngarkohen shpenzimet e atyre analizave “mbi planin”!
Fatkeqësisht kjo është një histori e shëmtuar, çdo 10-15 ditëshin e fundit të muajit në QSUT dhe në të gjithe sistemin laboratorik publik të dhënë me PPP!
Sepse laboratorët nuk kryejnë analizat e nevojshme ndaj pacientit në vazhdimësi, por vetëm një gamë e numër shumë të kufizuar të tyre.
Justifikimi: Mbarojnë fondet mujore të paguara PPP-së!
Dhe ndërkaq harxhohen miliona Euro në vit për PPP-të e laboratorëve, shumë më tepër nga sa do të duheshin për të funksionuar ata si pjesë integrale e spitaleve.
Ndërsa këto PPP kanë shkatërruar edhe “unitetin funksional” të spitalit.
Për të mos folur për Qendrat Universitare, që përveç aktivitetit klinik kanë dhe objektiva të domosdoshme didaktike, specializues, shkencore, rezatuese etj.
Dhe të gjitha këto së bashku me cilësinë e mjekimit, po cënohen thellësisht, pa llogaritur këtu dëmin e madh financiar publik.
Kjo është “mjekësia që duam” e Rilindjes, e filluar si “mjekësia falas”, por që po mbyll ciklin, si “mjekësia ku ose paguaj ose vdis”!


