Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku dy grupe të rinjsh janë përplasur me njëri-tjetrin në qendër të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake që qarkulluan mbrëmë, bëhet me dije se dy grupe të rinjsh janë përplasur duke përdorur sende të forta ndaj njëri-tjetrit.
Pas sherrit disa nga personat e përfshirë në sherr janë larguar nga vendngjarja me një automjet ngjyrë gri.
Burimet bëjnë me dije se personat e larguar dyshohet se kanë rrëmbyer dhe një person, duke e futur me dhunë në makinë.
Në vendngjarje mbërriti policia, por nuk bëhet me dije se çfarë ka ndodhur realisht.
Dëshmitarët thonin se u rrëmbye një person, por ende e pavërtetuar kjo.
Gati në mesnatë ka reaguar zyrtarisht policia me një njoftim:
“Rreth orës 22:20, jemi njoftuar se në afërsi të Pallatit të sportit disa adoleshentë janë konfliktuar ndërmjet njeri- tjetrit.
Në konflikt e sipër sipas të dhënave te ardhura në sallën operative dyshohet se njëra nga palët është larguar me një automjet duke marrë me vete dhe një person tjetër pa dëshirën e tij.
Nga veprimet paraprake të kryera në vendin e ngjarjes nuk mund të konfirmohet ky fakt i pretenduar në telefonatën e ardhur në sallën operative.
Policia po punon për sqarimin e rrethanave dhe vërtetësinë e ngjarjes, ndërkohë janë intensifikuar masat e sigurisë në qytet” – thuhet në njoftimin e policisë

