E njëjta qeveri që pas 12 vitesh i ka lënë shqiptarët me të ardhurat më të ulëta në rajon.
Pra ka diçka që nuk shkon.
Ka një arsye që rritja që na tregohet në shifra nuk është ajo që ndjehet në jetën e përditshme. Nuk është ajo që sheh një familje në fund të muajit, as ajo që përjeton një i ri kur përpiqet të blejë një shtëpi apo të ndërtojë jetën e tij këtu.
Problemi nuk është thjesht sa rritet ekonomia. Problemi është si rritet dhe kujt i shërben kjo rritje.
Sot rritja ekonomike nuk vjen nga prodhimi. Ajo vjen kryesisht nga ndërtimi dhe nga zgjerimi i shtetit. Vetëm këta dy sektorë japin rreth 2/3 e gjithë rritjes ekonomike, ndërkohë që bujqësia dhe industria — sektorët që mbajnë në këmbë ekonominë reale — janë në rënie prej vitesh.
Rreth 78% e rritjes së të ardhurave buxhetore vjen nga tatimi mbi pagat dhe kontributet. Pra nga njerëzit që punojnë.
Kjo do të thotë një gjë: shteti po rrit të ardhurat duke marrë më shumë nga e njëjta shtresë shtresa e mesme dhe profesionistët jo duke zgjeruar ekonominë reale.
Ndërkohë, sektorët që duhet të sillnin të ardhura ndërtimi dhe turizmi nuk kontribuojnë proporcionalisht me fitimet që gjenerojnë.
Kjo është një ekonomi që nuk prodhon mjaftueshëm, por takson më shumë ata që punojnë.
Dhe kur një ekonomi nuk prodhon, pasojat i paguan qytetari.
Inflacioni nuk është zhdukur. Ai është zhvendosur. Nuk e sheh vetëm te çmimi i ushqimeve, por e sheh te çmimi i apartamenteve që janë bërë të paarritshme, te qiratë që rriten çdo vit, te fakti që një çift i ri, edhe me dy paga, nuk arrin të blejë një shtëpi në vendin e vet.
Në të njëjtën kohë, familjet vazhdojnë të paguajnë më shumë për jetesën e përditshme. Sepse një ekonomi që nuk prodhon mjaftueshëm, detyrohet të importojë më shumë dhe koston e paguan qytetari.
Kështu krijohet një realitet i dyfishtë: çmime të larta për jetesën dhe çmime të paarritshme për pronën.
Ndërkohë, pagat rriten në letër, por jo si rezultat i një ekonomie më të fortë. Ato nuk vijnë nga produktiviteti dhe konkurrenca, ndaj nuk përkthehen në më shumë mirëqenie për shumicën.
Kësaj i shtohet mungesa e konkurrencës. Në shumë sektorë, tregu dominohet nga pak aktorë. Monopolet dhe oligopolet mbajnë çmimet lart dhe mbyllin rrugën për zhvillim të ndershëm.
Dhe mbi të gjitha qëndron korrupsioni.
Jo si rast i izoluar, por si mënyrë funksionimi. Kur korrupsioni bëhet sistem, investimet nuk shkojnë aty ku ka nevojë ekonomia, por aty ku ka interesa të ngushta. Dhe kjo deformon gjithçka — nga çmimet te mundësitë.
Rezultati është i qartë: një ekonomi që duket e fortë në sipërfaqe, por dobësohet nga brenda. Një mollë e kalbur nga brenda!
Një ekonomi që ndërton kulla, por nuk ndërton mundësi.
Një ekonomi ku pakica pasurohet, ndërsa shumica përballet me kosto gjithnjë e më të larta.
Shqiptarët sot po paguajnë dyfish: me taksa më të larta mbi pagën dhe me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë.
Pra nuk bëhet fjalë për rritje të qëndrueshme por një fasadë që nuk mund të zgjasë dhe nuk i shërben qytetërve!
Shqipëria ka nevojë për një model tjetër. Një model që prodhon, që konkurron dhe që e kthen rritjen ekonomike në mirëqenie për çdo qytetar.
Pasi ekonomia nuk matet me shifra por me jetën reale të njerëzve.



