Kryeministri dhe Kryetar i PS, Edi Rama mori pjesë sot në Asamblenë Socialiste të Njësisë 4 në kryeqytet.
Midis të tjerash, ai komentoi edhe rritjen e çmimeve të karburanteve, teksa tha se me krijimin e një kompanie publike për tregtimin e naftës, nuk do të ketë më çmime arbitrare.
Rama shtoi se sot një sasi e naftës në Shqipëri është jashtë radarëve të shtetit dhe po punohet me ndihmën e një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe për ta vendosur situatën nën kontroll.
“Ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën është e ashtuquajtura naftë tranzit, që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë në kufij tokësorë me Shqipërinë dhe pastaj ngelet në Shqipëri në mënyrë ilegale. Edhe për këtë kemi një produkt me po të njëjtën kompani, ku shteti shqiptar ka shumicën e aksioneve, për të ndjekur gjithë naftën tranzit që deri më sot është ndjekur me makina. Këto do të kenë impaktin e tyre pozitiv. Ne duam që kompania publike të jetë furnizues në treg dhe të përcaktojë rregullat e lojës duke imponuar jo një çmim arbitrar, por një çmim të bazuar te bursa”, u shpreh kryeministri Rama.



