Sot është 1 Prilli. Dita kur gënjeshtra vishet bukur dhe del në shëtitje si zonjë e respektuar. Dita kur edhe budallallëku merr leje qarkullimi dhe quhet “humor”.
Por në këtë vend, 1 Prilli nuk është datë rrengu, por regjim.
Sepse këtu gënjeshtra nuk është episod , por metodë. Është sistem. Është zanat i rafinuar që prodhon çdo ditë një realitet të ri, si ato kukullat ruse që hapen pafund, ku çdo shtresë e re nuk sjell të vërtetën, por një mashtrim edhe më të sofistikuar se i pari.
Çdo “matrioshkë” e Ramës hapet me solemnitet, sikur po zbulohet thelbi. Në fakt, zbulohet vetëm një tjetër nivel i manipulimit, më i lëmuar, më i paketuar, më i rrezikshëm. Dhe ti rri e mendon: A ka një fund kjo lodër, apo është projektuar që të mos mbarojë kurrë..!?
“Veritas odium parit.” E vërteta lind urrejtje.
Dhe këtu, kush guxon ta thotë, shpallet armik publik, ndërsa kush gënjen me vetëbesim, promovohet si vizionar.
Ironia bëhet më e trashë kur hyn në skenë opozitarizmi i rremë. Ata që dje të quanin “llum”, sot dalin si shpëtimtarë me kostum të ri, por me të njëjtën erë myku në mendësi. Dhe mbi të gjitha, me një elasticitet moral që do t’ia kishte zili edhe vetë gënjeshtra.
Sepse thënë troç, nuk janë të gjithë në këtë teatër viktima. Ka plot “Pinokë” që nuk u nevojitet 1 Prilli për të gënjyer. Ata janë në performancë të përditshme. Me hundë që rritet sa herë flasin për parime, për demokraci, për sakrificë. Dhe çuditërisht, sa më shumë rritet hunda, aq më shumë kërkojnë të duken si burra/gra shteti.
Janë mjeshtra të një zanati të ulët. Të shesin rezistencë, ndërsa negociojnë nën tryezë, të bërtasin kundër pushtetit ndërsa ushqehen prej tij, të shpallin kauza që i ndërrojnë si këmisha.
Në këtë 1 Prill politik, nuk kemi vetëm një autor gënjeshtre. Kemi një orkestër. Dhe secili instrument luan notën e vet të rreme, me një koordinim që do vlente të admiroej… nëse nuk do të rezultonte Fatal.
Gjithsesi, ka një kkeçkë të vogël në këtë maratonë teatrale, publiku nuk është më aq ” sylesh” saç e mendojnë aktorë e skenaristë bashkë.
Sepse, sado shtresa të vendosësh, sado maska të ndërrosh, vjen një moment kur lodhesh duke gënjyer, më shumë sesa duke thënë të vërtetën. Dhe aty fillon dekompozimi.
E vërteta nuk ka nevojë për dekor. Ajo nuk del me kostum, shfaqet lakuriq. E, pikërisht për këtë tremb.
Ndaj, gëzuar 1 Prillin atyre që e kanë kthyer në profesion.
Dhe, durim atyre që ende besojnë se kjo është vetëm një shaka.
Sepse problemi nuk është që po qeshim.
Tragjedia është që po na qeshin!
Irma Marku/ 1 Prilli dhe Pushteti i Maskuar: Metafora e Matrioshkave të Ramës”

Leave a comment Leave a comment


