Ka më shumë se tre javë që një media denoncon publikisht kërcënime me armë. Dy herë radhazi, persona të maskuar janë shfaqur në ambientet e një televizioni. Rasti i MCN TV dhe deklaratat e pronarit Endri Meksi shtrojnë një pyetje jetike: çfarë ndodh kur kërcënohet një media?
Përgjigjja me një fjalë: asgjë.
Çfarë do të ndodhte në një vend normal?
Në një vend normal, policia nuk pret episodin e dytë për të kuptuar se i pari ishte serioz. Ajo do të kishte rrethuar menjëherë zonën, do të kishte sekuestruar çdo kamera sigurie, jo vetëm të televizionit, por të çdo biznesi përreth për të identifikuar lëvizjet, mjetet dhe targat. Mbi të gjitha, do të kishte vendosur një patrullë aty, duke qenë se flasim për një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Po Prokuroria?
Në një vend normal, organi i akuzës nuk pret viktimën për të nisur punën. Hetimi penal për “kanosje serioze” do të niste kryesisht. Do të kërkoheshin masa sigurie për personat e kërcënuar, do të ngrihej një grup i posaçëm hetimor dhe do të kishte komunikim zyrtar për të informuar publikun mbi ecurinë e çështjes. Ky do të ishte minimumi i funksionimit të shtetit.
Po qeveria?
Në një vend normal, ekzekutivi nuk hesht. Ministri i Brendshëm do të dilte me një deklaratë të prerë, duke kërkuar rezultate brenda afateve konkrete dhe duke garantuar sigurinë e gazetarëve. Këtu nuk bëhet fjalë për simpati ndaj një mediaje, por për integritetin e shtetit.
Opozita?
Në një vend normal, opozita nuk mjaftohet me një status në Facebook apo një konferencë rutinë. Ajo do ta kthente këtë në kauzë të përditshme politike: do të kërkonte interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm dhe do të insistonte për një komision hetimor apo seancë dëgjimore.
Opozita do të tundte Kuvendin, sepse
në një vend normal, Parlamenti nuk është spektator. Kuvendi do të kërkonte raportim urgjent nga Policia dhe Prokuroria. Kur kërcënohet një media, nuk kërcënohet thjesht një biznes; kërcënohet e drejta e publikut për t’u informuar. Sidomos kur kjo media, përmes emisioneve të saj, ka “shkelur në kallo”.
Po Media?
Në një vend normal, media do të ishte një bllok i vetëm. Jo në mbrojtje të një pronari, por në mbrojtje të lirisë së vet. Do të kishte reagime të përbashkëta editoriale dhe presion të vazhdueshëm publik. Sepse çdo gazetar e di: nëse hesht sot për kolegët, nesër është radha e tij.
Po Kryeministri?
Në një vend normal, Kryeministri nuk pret fundin tragjik për të shkruar një fjalim prekës. Ai do ta dënonte menjëherë kërcënimin dhe do të kërkonte zbardhjen e krimit. Është momenti ku shteti duhet të provojë se nuk bashkëmenaxhon me krimin, por e lufton atë.
Në një vend normal, pas shfaqjes së parë të maskave, do të kishte të arrestuar.
Në Shqipëri, edhe pas shfaqjes së dytë, kemi vetëm heshtje.
Pyetja që mbetet është: sa herë duhet të shfaqen personat me maska në televizion, që shteti të heqë maskën e tij?



